Njeriu i Vetëvendosjes emërohet anëtar në Bordin e Bankës Qendrore të Kosovës

Njeriu i Vetëvendosjes emërohet anëtar në Bordin e Bankës Qendrore të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur ish-kandidatin e Vetëvendosjes për deputet, Nexhat Kryeziun në pozitën e anëtarit jo-ekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Nexhat Kryeziu mori gjithsej 72 vota nga 85 deputetë që votuan për këtë emërim.

Qeveria Kurti, në mbledhjen e 30 prillit të këtij viti, ishte pajtuar ma kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e anëtarit jo-ekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Emrat e propozuar (shih vendimin) ishin: Arta Hoxha, Esida Bujupi, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Nora Rraci.

Më datë 1 mars, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka shpallur konkurs për një pozitë të anëtarit jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së.

Sipas konkursit të publikuar, emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar, duke filluar nga data e emërimit.

Lista e kandidateve që kualifikohen nga ana e panelit do t’i dërgohej Kuvendit të Kosovës – ashtu siç edhe vazhdoi procedura.

Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti i Kosovës.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Bordi i Bankës Qendrore përbëhet nga Guvernatori dhe katër (4) anëtarë joekzekutivë, të cilët ngarkohen me detyrën e aprovimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, si dhe mbikëqyrjen e administrimit dhe të aktiviteteve të Bankës Qendrore.

Banka Qendrore e Kosovës është institucion publik i pavarur. Objektivi kryesor i saj është nxitja dhe ruajtja e një sistemi të qëndrueshëm financiar dhe një sistemi efikas të pagesave. BQK mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë.

Brenda kompetencave të përcaktuara me ligj, Banka Qendrore, anëtarët e organeve vendimmarrëse ose personeli i Bankës Qendrore, nuk do të marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë subjektet qeveritare.

Nexhat Kryeziu, i cili ka qenë kandidat për deputet nga partia në pushtet në zgjedhjet nacionale të vitit 2017, është emëruar në muajin shkurt kryesues i Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar./Periskopi. 

 

 

 

Shpërndaje në: