Norvegjia në kërkim të vëllezërve shqiptarë për vrasjen e para pak ditëve, dyshon se janë në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Policia norvegjeze është në kërkim të dy vëllezërve shqiptarë nga Kosova, si të dyshuar për vrasjen në qytetin Mortensrud më 7 tetor.

Vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli, sipas Policisë norvegjeze, përcjell “VG.no”, që nga 9 tetori janë strehuar në Kosovë.

Distrikti policor i Oslos ka publikuar edhe fotot e vëllezërve kosovarë, duke kërkuar informata që do të çonin në arrestimin e tyre.

Vrasja ndodhi para një shkolle në qytetin Mortensrud, ku viktimë ishte 20-vjeçari Hamse Hashi Adan. Një burrë 40 vjeç është në paraburgim si i dyshuar për bashkëpunim në vrasje.

Avokati i dy vëllezërve kosovarë, Svein Holden, tregon se ata mohojnë çdo lidhje me këtë vrasje.

“Unë kam qenë në kontakt me të dy pasi janë shpallur në kërkim dhe të dy mohojnë të kenë lidhje me ngjarjen”, tha Holden.

Në vitin 2016, vëllezërit Avdyli u bënë të parët në Norvegji që u dënuan sipas Ligjit të amandamentuar për terrorizmin.

Valon Avdyli u dënua për pjesëmarrje në organizatën terroriste IS, ndërsa Visar Avdyli për mbështetje materiale të vëllait të tretë, Egzon Avdyli.

Egzon Avdyli u vra në luftën e Sirisë në prill të vitit 2014 si pjesë e ISIS-it.

Mediat norvegjeze shkruajnë se Policia e këtij vendi nuk sheh asnjë lidhje midis dënimeve të mëparshme dhe vrasjes në Mortensrud, më 7 tetor.