NPB reagon ndaj ministrit Aliu për rrënimin e objektit në Lakrishtë

NPB reagon ndaj ministrit Aliu për rrënimin e objektit në Lakrishtë

Drejtues të Ndërmarrjes Publike Banesore kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu lidhur me rrënimin e objektit në Lakrishtë, të Prishtinës.

Kryeshefi ekzekutiv i NPB-së Hajdar Hoxhaj në një konferencë për medie theksoi se deklaratat e ministrit Aliu janë të pavërteta, kërcënuese dhe shantazhuese.

“Nuk kemi të bëjmë me shkelje ligjore, ka disa ministri të qeverisë që janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme të dëmtojnë reputacionin dhe imazhin e NPB-së. Nuk di ku është interesi i Qeverisë të ndalohet projekti i Ndërmarrjes Publike Banesore”, tha ai.

Hoxhaj paralajmëron padi për këto kërcënime, ndërsa shtoi se projekti në fjalë do të përfundojë brenda tri vjetëve të ardhshme.

Ndryshe, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka anuluar punimet në lagjen Lakrishtë në Prishtinë, pasi që gjatë rrënimit të objekteve të vjetra doli që ka materiale të azbestit e të cilat konsiderohet të jenë kancerogjene.

Ministri Aliu ka kërkuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Komuna e Prishtinës që të tërhiqet plani i rrënimit dhe të shqyrtohet akti noterial.

“Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës, normalisht edhe me ndihmën e inspektoratit të mjedisit dhe me punën që do ta bëjmë ne si ministri duhet të shqyrtojë lejen e rrënimit të cilën e ka lëshuar sepse ajo leje rrënimi bazohet në një dokument që është plani i rrënimit e që nuk e përmend azbestin askund”, tha ai.

Shpërndaje në: