Nuk e deklaroi Mercedesin e djalit, 7 muaj burg dhe 500 euro dënim për zyrtarin e shtetit

Nuk e deklaroi Mercedesin e djalit, 7 muaj burg dhe 500 euro dënim për zyrtarin e shtetit

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë me kusht, drejtorin e Insitutit Arkeologjik të Kosovë, Enver Rexha.

Rexha ngarkohej se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara, duke fshehur dhe mosshënuar veturën e tipit “Mercedes Benz”, cila është në emër të djalit të tij.

Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësja Anita Krasniqi-Prenaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi me burgim dhe gjobë, të akuzuarit Rexha nuk do t’i ekzekutohet, nëse i njëjti  nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej dy vitesh.

Rexha gjithashtu obligohet që të paguajë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe shumën 30 euro për fondin për kompensim të viktimave të krimit.

Ndryshe, paraprakisht pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Ajshe Ferati, i akuzuari Rexha e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë dhe shtoi se nuk kishte informim se e ka pasur ndryshime në ligj.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurorja Ferati, e më pas u aprovua nga gjyqtarja Krasniqi-Prenaj.

Në fund, gjykatësja Krasniqi-Prenaj i njoftoi palët lidhur me të drejtën për të ushtruar ankesë kundër këtij vendimi, në afat prej 15 ditësh.

Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Enver Rexha akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, drejtor në Institutin Arkeologjik të Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5, paragrafi 1.1, të Ligjit Nr.04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, ku ka qenë i detyruar që të deklarojë pasurinë në Agjensinë Kundër Korrupsionit (AKK), përmes formularit për deklarimin e pasurisë të ardhurave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Në aktin akuzues thuhet se me rastin e deklarimit të pasurisë, më 21 mars 2019, për vitin paraprak 1 janar deri 31 dhjetor 2018, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara duke fshehur, duke mos shënuar veturën e tipit “Mercedes Benz C 200 CDI”, viti i prodhimit 2009, e cila është në emër të djalit të tij Eliot Rexha.

Me këtë, Enver Rexha akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i ardhurave,  i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2, të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shpërndaje në: