“Nuk e dimë se çka na pret”, profesionistët shëndetësorë bëjnë thirrje për respektim të masave dhe vaksinim

“Nuk e dimë se çka na pret”, profesionistët shëndetësorë bëjnë thirrje për respektim të masave dhe vaksinim

Respektimi i masave kundër pandemisë dhe vaksinimi janë elementet kryesore, të cilat mund të parandalojnë përhapjen dhe rritjen e numrit të rasteve me koronavirus, thonë profesionistët shëndetësorë: Teuta Fejza, epidemiologe; Arben Vishaj, internist, dhe Gjyle Mulliqi-Osmani, mikrobiologe.

Epidemiologia Fejza, drejtoreshë e Institutit të Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, se situata me pandeminë është jostabile dhe ajo mund të ndryshojë.

“Ne nuk e dimë se çka na pret, nuk mund të parashikojmë, por pritet edhe ndonjë valë e re e infektimeve”, thotë ajo.

Fejza konsideron se qytetarët, në përgjithësi, duhet të kenë kujdes dhe, sipas saj, të gjitha rregullat e institucioneve shëndetësore duhet të respektohen.

“Vaksinimi duhet të vazhdojë pa ndërprerje dhe sa më shumë të vaksinohen, në mënyrë që vala e infektimeve të jetë sa më e vogël”, shprehet Fejza.

Studentët e Universitetit të Prishtinës nuk po kontrollohen nëse janë të vaksinuar ose jo kundër koronavirusit.

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se për çfarëdo situate të mundshme, klinika do të jetë gati.

Ai pohon se janë duke u përgatitur për situata të vështira epidemiologjike që mund të paraqiten.

“Edhe Kosova, si edhe vendet e tjera, nuk mund të jetë imune ndaj kësaj pandemie dhe mundësia e përhapjes së infeksionit në Kosovë ekziston. Ne, gjithmonë, si klinikë jemi duke bërë gjithçka që është e mundshme që situatën, e cila eventualisht pritet të vijë, ta përballojmë në mënyrë sa më të dëshirueshme që është e mundur”, thotë Vishaj.

Në Klinikën Infektive të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, më 3 nëntor, kanë qenë të hospitalizuar shtatë pacientë – dy në kujdes intensiv.

Të martën, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka miratuar vendimin edhe për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12 deri në 15 vjeç.

Epidemiologia Fejza thotë se në bazë të rekomandimeve, edhe grup-moshat e reja duhet të vaksinohen.

“Duhet të ketë më shumë informim që qytetarët të vendosin për vaksinimin e grup-moshave më të reja ashtu siç kanë vendosur institucionet”, thotë ajo.

Gjyle Mulliqi-Osmani, profesoreshë e pensionuar e lëndës mikrobiologji mjekësore, thotë se vendi ku mund të ketë rritje të rasteve, mund të jenë shkollat. Ajo rekomandon që aty të bëhen teste të shpejta.

“Mendoj që në shkolla ndoshta të aplikohet testimi i shpejtë apo vetëtestimi nga ana e prindërve për nxënësin, së paku një herë në javë, në mënyrë që t’i ikim asaj shfaqjes së menjëhershme dhe të vrullshme të numrit të lartë të njerëzve të infektuar”, thotë Osmani.

Rritja e rasteve të reja me koronavirus në Evropë

Rritja e numrit të infeksioneve me koronavirus në Evropë është një “shqetësim i madh” dhe rajoni mund të përballet me gjysmë milioni vdekje tjera deri në fillim të vitit të ardhshëm, paralajmëroi të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Ritmi aktual i transmetimit të virusit në 53 vendet e rajonit evropian është një shqetësim i madh”, tha kreu i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, në një konferencë shtypi, duke shtuar se rastet e reja po u afrohen niveleve rekord.

Shumica e vendeve evropiane kanë raportuar ditëve të fundit rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

Belgjika raporti të enjten një rritje të madhe të infeksioneve dhe shtrimeve në spital -të përafërt me nivelet e tetorit, 2020.

Të dhënat nga Instituti Shëndetësor Sciensano i Belgjikës treguan se ka pasur mesatarisht 6,728 raste të reja ditore në 14 ditët e fundit. Mesatarisht, 164 pacientë me koronavirus u pranuan në spitale çdo ditë në shtatë ditët e fundit.

Më shumë se 8.6 milionë njerëz në Belgjikë janë vaksinuar plotësisht, që i bie 74 për qind e popullsisë së saj.

Të hënën, Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) shtoi Belgjikën në listën e vendeve me rrezik të lartë.

Janë nëntë vende të tjera evropiane në këtë listë, në mesin e tyre: Austria, Britania, Kroacia, Greqia dhe shtetet baltike.

Instituti për Kontrollin e Sëmundjeve në Gjermani “Robert Koch” tha të enjten se ka regjistruar 33,949 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.

Që nga fillimi i pandemisë, Gjermania asnjëherë nuk ka shënuar shifër të tillë.

Rritja e rasteve të reja me koronavirus ka bërë që ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, të thërrasë një takim me 16 ministrat e shëndetësisë së landeve, për të diskutuar se si të kufizohet përhapja e koronavirusit gjatë muajve të dimrit.

Shpërndaje në: