Nuk e shfaqën gruan me shami, zëdhënësi i Kurtit: Fotot i përzgjedhëm prej atyre që i kishim, fokusi ishte te krerët

Nuk e shfaqën gruan me shami, zëdhënësi i Kurtit: Fotot i përzgjedhëm prej atyre që i kishim, fokusi ishte te krerët

Fotografitë e publikuara gjatë takimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kanë nxitur reagime të ndryshme në media dhe rrjete sociale.

Shkas për reagime është bërë fotografia nga tryeza e takimit, pasi në fotografitë zyrtare të publikuara nga Zyra e Kryeministrit nuk është përfshirë fotografia e gruas me shami, derisa fotot e Departamentit të Shtetit dhe Zyrës së Presidentes përfshijnë edhe zyrtaren amerikane me shami.

Në reagime thuhej se Zyra e Kryeministrit qëllimisht e ka larguar gruan me shami nga fotografitë e takimit.

Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për Telegrafin, e ka demantuar një gjë të tillë.

“Nuk pasur ndërhyrje. Fotot e publikuara janë përzgjedhur në mesin e atyre të cilat ne i kemi pasur në posedim, duke vendosur fokusin te krerët e delegacioneve të të dy shteteve”, ka thënë Kryeziu.

Kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani dje u pritën në një takim zyrtar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Në mesin e delegacionit amerikan, ishte edhe një grua me shami, e cila po komentohet shumë nëpër rrjete sociale për faktin që nuk po figuron në fotografitë e publikuara nga Zyra e kryeministrit Albin Kurti. E për këtë gjë, hoxhollarët po fajësojnë mediat,  shkruan Periskopi.

As në komunikatën zyrtare e as në fotografitë e publikuara në profilin zyrtar të kryeministrit Albin Kurti  në Facebook nuk shihet dot gruaja me shami që në realitet ishte e ulur në tavolinën e takimit të rëndësishëm dje mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Amerikës.

Për prerjen e figurës së saj, hoxhallarët e islamikët e tjerë po fajësojnë mediat, ndërkohë që është vet kryeministri që ka shpërndarë fotografitë në atë formë, duke përjashtuar prezencën e gruas me shami. Ndërkohë që shumica e mediave, janë servuar me fotografinë e publikuara nga  Sekretari Blinken, ku shihet edhe gruaja me shami.

Shpërndaje në: