Nuk ka vend për panik, Hoti sqaron: Asnjë shtet nuk mund ta tërheq njohjen e Kosovës

Nuk ka vend për panik, Hoti sqaron: Asnjë shtet nuk mund ta tërheq njohjen e Kosovës

Ka disa muaj që në Serbi temë kryesore është angazhimi i diplomacisë serbe për tërheqjen e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës nga shtete që veçse kishin zyrtarizuar njohjen. Në listën e vendeve që thuhej se i kanë rënë pishman për njohjen e Kosovës ishin Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guineja Bisao, Burundi. Kësaj liste së fundmi iu shtua edhe Liberia. Për këtë çështje pati edhe përplasje mes diplomacisë kosovare që insistonte se njohjet nuk janë tërhequr, e diplomacisë serbe që çdo ditë publikonte si dëshmi letra diplomatike që thonin se po u vinë nga vendet që po tërheqin njohjen e Kosovës. Por, a ekziston tërheqja e njohjes si koncept në të drejtën ndërkombëtare? …Në një intervistë për Periskopin, këtë çështje e sqaron profesori i së drejtës ndërkombëtare në Departamentin e Shkencave Politike, Afrim Hoti.

Në këtë intervistë për Periskopin, profesori Hoti sqaron se në të drejtën ndërkombëtare, njohja është akt i parevokueshëm.

Sipas tij, praktika ndërkombëtare nuk e njeh tërheqjen e njohjes.

“Në parim njohja definohet si akt i njëanshëm, juridik, ndëkombëtar, i parevokueshëm. Është i njëanshëm, pasi varet kryekput nga vullneti i  një shteti. Në asnjë rrethanë, shteti A nuk e pyet shtetin B nëse duhet të njoh apo jo shtetin e ri. Është akt ndërkombëtar, sepse ka efekte juridike ndërkombëtare. Është juridik sepse njohja prodhon efekte juridike, si marrëdhënie diplomatike e të tjera. Ndërsa, njohja është akt i parevokueshëm, sepse praktika ndërkombëtare nuk njeh tërheqjen e njohjes. Mund të themi me njohje konstatohet ndryshimi i rrethanave të  caktuara në një vend të caktuar. Kur merret njohja, është e pamundur të bëhet ç’njohja apo tërheqja e njohjes”, ka deklaruar Hoti.

Ai sqaron se raportet mes dy vendeve të caktuara mund të kenë trend negativ, por tërheqja e njohjes nuk mund të bëhet as në raste ekstreme.

Sipas tij, e gjithë kjo propagandë është lojë e Serbisë me shtetet që kanë sistem të pakosoliduar politik, apo edhe juridik.

“Nga marrja e njohjes mund të ecet tutje në marrëdhënie diplomatike dhe të tjera, por nëse raportet mes dy vendeve nuk janë pozitive, mund të ketë edhe trend negativ, që nënkupton ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, krijim të tensionit apo në rast ekstrem, edhe fillim të luftës, por në asnjë rrethanë nuk ka tërheqje të njohjës. E gjithë kjo është lojë e lidershipit në Serbi, të cilët në vigjilje të gjetjes së një zgjidhje ndërkombëtare, kur jemi në fazë finale, dëshiron të përfitojë që të krijojë përshtypje ndërkombëtarisht që të ndërpres procesin e njohjeve të Kosovës. Në glob sot kemi shtete me sisteme jo të konsoliduara politike. E kemi rastin e Malit apo shteteve të tjera në Afrikë, ku nuk dihet cili është autoriteti legjitim. Pra, e kemi një pjesë kryengritësish, një pjesë që kontrollohet nga Qeveria, apo edhe një pjesë që kontrollohet nga një grup krejtësisht tjetër. Në këto raste mund të krijohet huti. Në këtë rast, Kosova mund të jetë njohur nga grupi i kryengritësve që ka kundërshti nga një pjesë tjetër. Situata e dytë ështe tek shtetet e varfëra, me sisteme politike të paqëndrueshme, siç janë Burundi, Guineja e të tjera, si shtete të botës së tretë”, ka sqaruar ai.

Sipas profesorit të drejtës ndërkombëtare, shtete të caktuara bëjnë lojëra të tillë për të përfituar në kuptimin politik, siç është regjimi i lirë i vizave, për çka edhe u kritikua Serbia së fundmi.

“Këto shtete për të përfituar në kuptimin politik, siç është çështja e vizave, bëjnë kompromise të tilla. Sot, Serbia kritikohet se për të luajtur loja të tilla po u jep liri, apo regjim të lirë të vizave këtyre vendeve, vetëm për të krijuar amulli. Këto janë lojëra të regjimit politik në Serbi, në të cilat ne nuk duhet të biem në pre”, thotë Hoti.

Sipas tij, BE duhet ta penalizojë Serbinë për këto devijime nga politikat e Bashkimit Evropian, meqë është një shtetet që po synon anëtarësimin.

“Duhet të ketë penalizim për Serbinë, por jo nga ne, sepse ne nuk jemi autoritet për penalizim. Edhe Kosova, Serbia e vendet tjera po synojnë të anëtarësohen në BE. Një nga kushtet është që të ndiqen politikat e BE’së. Në secilin rast kur shtetet devijojnë, BE duhet të jetë autoritet që merr masa. Në këtë rast BE do të duhej të penalizonte Serbinë, t’i japte vrejtje për këtë çështje. Kjo propagandë ka ndikim tek shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Ato shtete që janë mike të Serbisë, e nuk e njohin Kosovën ndikohen nga propaganda e Serbisë. Kjo mund të ndikojë edhe tek shtetet që presin të marrin vendimin për njohje. Por, kjo assesi nuk ndikon në shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën e kanë krijuar raporte diplomatike”, ka thënë tutje njohësi i të drejtës ndërkombëtare.

Profesori Afrim Hoti e pranon se Kosova ende ka probleme të shumta në shërbimin e jashtëm në përgjithësi.

Thotë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe mos t’i jap vetes komoditetin, meqë ende ka status të kontestuar juridik.

“Mendoj që kemi probleme të shumta në diplomaci apo në shërbimin e jashtëm në përgjithësi. Këto probleme po vazhdojmë t’i trashëgojmë. Kemi bërë gabime të jashtëzakonshme. Po përballemi me kriza politike e zgjedhje. Shërbimi i jashtëm ka dy probleme. I pari është problemi politik që asnjëherë në këto dy qeverisjet e fundit nuk ka arrit të konsolidohet e të përcaktojë objektivat. Problemi i dytë është që nuk kemi mundur të ndërtojmë një shërbim të jashtëm efikas që nuk do të ishte i ngarkuar me probleme si familjarizmi, nepotizmi, korrupsioni e të tjera. Duhet të jemi të kujdesshëm. Kosova nuk duhet t’ia jap komoditetin vetës kur ende kemi status të kontestuar juridik”, ka thënë tutje ai.

Në videon e mëposhtme mund ta ndiqni të plotë intervistën me profesorin Afrim Hoti./Periskopi

Shpërndaje në: