“Nuk po merrte frymë”, flet trajnerja heroinë që shpëtoi notaren: Mushkëritë i kishte të mbushura me ujë

“Nuk po merrte frymë”, flet trajnerja heroinë që shpëtoi notaren: Mushkëritë i kishte të mbushura me ujë

Notarja artistike Anita Alvarez kaloi një moment dramatik gjatë garës në Botërorin e notit në Budapest.

Alvarez u pa teksa ra pa ndjenja, por fatmirësisht trajnerja Andrea Fuentes u hodh për ta shpëtuar.

“Frikë e madhe. Më duhej të hidhesha, sepse rojet e plazhit nuk po e bënin”, tha Fuentes për gazetën spanjolle Marca.

Fuentes, e veshur me pantallona të shkurtra dhe një bluzë, u zhyt në fund të pishinës dhe tërhoqi Alvarez në sipërfaqe dhe më pas e çoi në buzë të pishinës.

“Isha e frikësuar, sepse e pashë që ajo nuk po merrte frymë, por tani është mirë”, tha Fuentes, fituese e katër herë e medaljeve olimpike në notin artistik.

Ishte gjithçka shumë intensive. Mendoj se ka ndenjur të paktën 2 minuta pa marrë frymë, sepse i kishte mushkrit plot me ujë. Por arriti ta nxirrte ujin, u kollit dhe u bë mirë. Por frika ishte e madhe”.

Fuentes u tregua kritike ndaj truprojave.

“Kur e pashë që po zhytej, ktheva sytë nga rojet, por e pashë që ata kishin ngrirë. Nuk reaguan. Mendova: duhet të hidhesh ti tani. Reflekset e mia ishin më të shpejta. Nuk u mendova gjatë dhe u hodha. Ishte gjëja më e shpejtë dhe më e çmendur që kam bërë ndonjëherë në karrierën time. E ngrita, por normalisht ishte shumë e rëndë. Nuk ishte e lehtë.

Anita është mirë, doktorët kanë kontrolluar të gjitha organet jetike dhe çdo gjë është normale, zemra, oksigjeni, nivelet e sheqerit, tensioni. Këto gjëra ndodhin në sporte si maratona, çiklizëm, ndodh edhe në not. Vetëm se ndryshimi është se tek ne zhytesh në pishinë.

Anita është mirë tani, ajo do të pushojë një ditë dhe më vonë doktori do të vendosë nëse mund të vazhdojë garën apo jo”, tha Fuentes.

Shpërndaje në: