Nuk zgjedh Barcelonën e as Interin, Eto’o befason me skuadrën e zemrës

Nuk zgjedh Barcelonën e as Interin, Eto’o befason me skuadrën e zemrës

Ish-kapiteni i Kamerunit konsiderohet si një nga sulmuesit më të mëdhenj afrikanë të të gjitha kohërave. Ai ka qenë një nga lojtarët më “vdekjeprurës” në futbollin botëror, gjatë pesë viteve te Barcelona (2004-2009).

Atje, Samuel Eto’o, edhe para Interit, u bë një futbollist i nivelit të lartë, megjithëse qysh gjatë aktivizimit te Mallorca nisi të spikaste. Duke folur ekskluzivisht për “Soccer Laduma” mbi vitet te Mallorca, 40-vjeçari tha se i mban mend si një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij:

“Mallorca është e gjithë jeta ime. Për mua, Mallorca është ekipi më i mirë në botë! Po, Mallorca më dha shansin, mundësinë, kohën për të luajtur në futboll. Përveç vendit tim, Mallorca më dha liri.

Ndonjëherë në futboll lojtarët nuk kanë kohë dhe kur je i ri është kaq e vështirë. Në vend të kësaj, Mallorca më dha kohë për të eksploruar veten, kohë për të luajtur futboll, ndaj nuk do ta harroj kurrë. Është shumë e rrallë të gjeni një klub që t’i jep të gjitha këto mundësi”.

Eto’o shënoi 67 gola në 155 ndeshje për Mallorca, para se të transferohej te Barcelona. Kamerunasi më pas zbuloi një sfond të merkatos: “Unë kisha oferta në atë kohë nga Arsenali, Real Madridi, Atletico Madridi, por gjëja më e rëndësishme në atë kohë ishte të kuptoja se koha ime te Mallorca kishte mbaruar.

Kisha nevojë të luaja në një skuadër vërtet të madhe, si Manchester United, ose të kthehesha te Real Madridi, por doja të luaja. Nuk doja të qëndroja në stol apo të huazohesha”. Pastaj Barcelona, ​​Interi dhe dy tripletat e njëpasnjëshme…

Shpërndaje në: