Numrat e COVID-19 në ulje, masat vazhdojnë të mbesin në fuqi

Numrat e COVID-19 në ulje, masat vazhdojnë të mbesin në fuqi

Situata me Covid-19 në Kosovë dukshëm ka filluar të përmirësohet, megjithatë masat kundër virusit vazhdojnë të mbesin në fuqi.

Vetëm gjatë kësaj jave, nga 4 tetori deri më sot, 10 tetor, janë konfirmuar 193 raste të reja.

Gjatë kësaj periudhe kohore, betejën me Covid-19 e fituan 1264 pacientë.

Por që, 9 persona, fatkeqësisht nuk ia dolën dot ta mposhtin këtë virus.

Përkundër kësaj, masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19, janë akoma në fuqi.

Edhe pse u kërkua që disa prej tyre të lirohen, në takimin e fundit të MSH-së, MAPL-së, me kryetarët e komunave, nuk u ndryshuan ato.

“Gjithashtu në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe ekspertëve shëndetësor, u theksua se sipas analizës epidemiologjike, do të merren masat e nevojshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19“, u tha në njoftimin e MSH-së.

Në anën tjetër, procesi i vaksinimit është duke vazhduar.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.447.040 doza të vaksinës.

Deri më sot 623.183 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Shpërndaje në: