Numri i madh i të infektuarve në shkolla: 90 në mësim online

Numri i madh i të infektuarve në shkolla: 90 në mësim online

Në Kosovë të infektuar me COVID-19 aktualisht janë 1 mijë e 489 mësimdhënës dhe 6 mijë e 687 nxënës, ka bërë të ditur zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna. Por ajo nuk ka pasur të dhëna sa i përket numrit të nxënësve të cilët tashmë janë vaksinuar kundër virusit.

Maloku-Bërdyna ka treguar rreth infektimit të mësimdhënësve dhe nxënësve bazuar në të dhënat e datës 28 janar që janë dorëzuar nga drejtoritë komunale.

“Nga 23 mijë e 90 mësimdhënës sipas të dhënave që ka dërguar drejtoritë komunale me COVID-19 kanë gjithsej 1489 mësimdhënës. Nga 298 mijë e 29 nxënës, aktiv me Covid-19 janë 6 mijë e 687. Ndërsa sa i përket numrit të shkollave sipas raportimeve që i kemi marrë nga terreni të dhënat janë këto, me skenarin rikthimi pra me prani fizike dhe me orar të plotë janë gjithsej 672 shkolla, që i bie që shumica e shkollave ende vazhdojnë të operojnë me skenarin rikthimi. Me skenarin A në total i kemi shtatë shkolla, në skenarin B që kombinon prezencën fizike dhe atë online i kemi pesë shkolla, ndërsa skenari C ose kalimi në mësimdhënie online është gjithsej 90 shkolla”, ka thënë zëvendësministrja e Arsimit.

E pyetur rreth numrit të nxënësve të vaksinuar, Maloku – Bërdyna tha se nuk i posedojnë ende të dhënat.

Fatkeqësisht sot nuk i kam këto të dhëna, mirëpo besoj që për një kohë të shkurtë mund t’i marrim. Ju lus të drejtoni pyetje, nëse veç nuk e keni bërë, tek zyra jonë e komunikimit ose këshilltarja për media, që ta kemi në të shkruar që pastaj të dimë se ku t’ua kthejmë informatën prapa, por keni të drejtë do të ishte shumë me rëndësi ta kishin”, ka thënë ajo.

Në konferencën e rregullt për media të Ministrisë së Arsimit, Maloku – Bërdyna ka treguar edhe për programin e bursave të përbashkëta Japoni-Bankë Botërore ku për herë të parë mund të aplikojnë studentët nga Kosovë.

Ajo ka bërë të ditur se për herë të parë Kosova është në listën e vendeve të pranueshme dhe u ka bërë thirrje studentëve që të informohen në faqen zyrtare të ministrisë për studime në fusha të ndryshme që ofrohen nga ky program i cili ndanë bursa për studime master.

Shpërndaje në: