Nurellari, PDK- videoja propagandistike manipuluese e Vetëvendosjes përmban 7 abuzime

Nurellari, PDK- videoja propagandistike manipuluese e Vetëvendosjes përmban 7 abuzime

Anëtari i kryesisë të Partisë Demokratike të Kosovës reagon në rrjetin e tij social facebook ndaj videos së publikuar së fundmi nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij kjo video manipuluese shërben për të maskuar dështimet dhe paaftësine e tyre duke sulmuar rivalët dhe tregon se kjo parti po sillet si parti opozitare edhe pse u bënë tre vjet nga kur ka fituar zgjedhjet e para.

Nurellari reshton 7 abuzime e mashtrime të bëra nga videoja, duke e nisur me turpin e sulmit ndaj cclirimtarëve ndërkohë që ata janë të burgosur në Hagë e nuk mund të vetë-mbrohen. Së dyti ai e konsideron si pranim dështimi faktin që LVV nuk ka ndonjë arritje me të cilat të krenohet por ende merret me sulme ndaj së kaluarës. Së treti ai vë në dukje që videoja që flet për korrupsion nis me pamje demonstruese të ndërtimeve të mëdha të Prishtinës për të cilat vetë kanë dhënë leje e mbajnë përgjegjësi gjatë kohës që kanë drejtuar komunën e Prishtinës.

Më tutje anëtari i kryesisë së PDK-së ngre pikëpyetjen për vërtetësinë e akuzave për korrupsion përderisa LVV pas vitesh në pushtet ende nuk ka zbuluar dosje korruptive. Ai thekson se “ LVV tashmë ka kaluar boll kohë në pushtet në krye të të gjitha institucioneve të shtetit për të identifikuar, shqyrtuar, zbuluar, analizuar dhe përgatitur dosje për prokurorinë lidhur me afera korruptive të supozuara në nivel të qeverisjes qendrore”. Përderisa pak muaj pasi morën Komunën e Prishtinës përgatitën 70 dosje për afera korruptive kundër qeveritarëve parardhës, përse nuk kanë mundur të përgatisin dosje kundër qeverive të mëparshme ende.

Si mashtrim të pestë Nurellari tregon se Kurti ka bashkëpunuar ngushtë me të njëjtit figura që akuzon qoftë në kuadër të VLAN-it , qoftë gjatë bashkëpunimit të afërt opozitar e qoftë në bashkëqeverisjen me LDK-në. Ndërsa si mashtrim të gjashtë paraqet faktin që në video Kurti nuk thotë asgjë për përgjegjësitë e protektoratit ndërkombëtar dhe të huajt e  UNMIK-ut dhe EULEX-it pavarësisht faktit që të gjithë e mbajnë mend se në vitet e para të jetës së saj LVV ishte e fokusuar kundër të huajve që i quante neokolonialistë.

Si argument të shtatë e të fundit Nurellari përmend retorikën e LVV që thotë se këta e kanë shkatërruar Kosovën gjatë këtyre 20 vjetëve të cilën ai e konsideron si retorikë anti-kombëtare që amniston okupimin serb.  Për të “Kjo retorikë ka nënkuptuar se  kinse “ Millosheviqi kishte lënë Kosovën në rregull”, por mandej u shkatërrua nga pushtetarët vendas të çlirimit.”

 

Më poshtë mund të lexoni postimin e tij të plotë :

 

Po më duket e pabesueshme pafytyrësia e kësaj organizate politike dështake që edhe pse po mbushen tre vjet që ka fituar për herë të parë zgjedhjet dhe është partia drejtuese në vend vazhdon të sillet si parti opozitare. Me këtë video manipuluese propagandistike, zyrtarët e kësaj partie përpiqen që dështimet, skandalet dhe paaftësinë e tyre për të qeverisur vendin dhe përmbushur premtimet e tyre t’i maskojnë me një video kundër partive rivale të opozitës. Me një pamje të parë të kësaj videoje, më vijnë në mend 7 abuzime që bën LVV me përmbajtjen e saj.

Së pari njëherë është e turpshme që kjo video të nxirret sot po pritet të fillojë gjykimi  i çlirimtarëve. Kjo është një përmbysje e traditës fisnike të shqiptarëve, që para armikut të përbashkët ne jemi të gjithë të bashkuar. Pavarësisht luftës së brendshme politike që ka pasur Kosova më parë, kur Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj kanë qenë të mbyllur padrejtësisht në Hagë në bankën e të akuzuarve për krime lufte, ndaj tyre kundërshtarët politik asokohe kanë heshtur në respekt të luftës sonë çlirimtare. Rivalët e tyre politik mund të kenë pasur pafund arsye apo motive për t’i kritikuar, por për sa kohë qenë në proces gjyqësor për të mbrojtur të vërtetën e madhe të luftës së popullit tonë për liri e pavarësi, ka pasur një armëpushim të mirëkuptuar të luftës e debateve të brendshme politike duke i kursyer ata nga konflikti partiak i përditshëm politik derisa u provua me sukses pafajësia e tyre. Me këtë video të bërë kur po mbushen dy vjet që çlirimtarët janë në burg, Kurti dhe Partia e tij po thyejnë një rekord historik të nivelit të ulët të goditjeve nën brez ndaj njerëzve që përkohësisht janë të privuar nga liria e nuk mund të reagojnë dot ta mbrojnë veten.

Së dyti kjo video është një pranim dorëzimi apo dështimi, sepse nëpërmjet saj Vetëvendosja po demonstron se nuk ka kapacitet që t’i dalë zot këtij vendi edhe pse ka marrë votat për këtë punë. Pra ajo kërkon mbështetjen e popullit jo sepse ka performancë, arritje, realizime apo vizion për të ardhmen, por për të ndëshkuar të kaluarën. Qytetarëve ua ka marrë votën duke premtuar që do i dalë zot vendit dhe do zgjidhë problemet që ka pasur, por jo si parti analistësh që ende vazhdon me konstatime e denoncime por me asnjë zgjidhje apo kurë për të shëruar vendin nga problemet e së kaluarës. Dëshmon gjithashtu që Vetëvendosja nuk di të qeverisë sepse është specializuar vetëm në denigrim, pengim, denoncim e shkatërrim dhe nuk del dot nga tradita e saj për t’u shndërruar në parti konstruktive që ndreq, ndërton apo sjell inovacion për realitetin.

Së treti është një hipokrizi e madhe e LVV kur përpiqet të denoncojë korrupsionin duke e nisur videon pikërisht me ndërtimet masive të bëra në  Prishtinë për të cilat ka dhënë leje pikërisht komuna e qeverisur nga Vetëvendosja për dy mandate. Nëse ka para të pista korrupsioni apo pastrime parash në zemër të Prishtinës sikurse implikohet nga videoja, atëhere përgjegjësia është pikërisht e LVV. Në vitin 2012 Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Isa Mustafa ka dhënë diku tek 247867 metra katrorë leje ndërtimi ndërsa në 2017 kur komuna drejtohej nga Vetëvendosja ndërkohë që ishte ende e bashkuar dhe shumica e drejtorëve ishin njerëz të Kurtit, janë dhënë 563 985 metra katror pra pothuaj dyfish më shumë se qeverisja pararendëse. Përpos kësaj duhet theksuar se ata që kënë qenë përgjegjës për ndërtimet në Komunën e Prishtinës, drejori i urbanistikës dhe policisë ndërtimore, janë ende sot ministrat e tij respektivisht të ministrisë së infrastrukturës dhe të ministrisë së brendshme.

Së katërti kjo video nxjerr në pah një dështim ose një mashtrim të madh shumëvjeçar të LVV për sa i përket akuzave për korrupsion. LVV tashmë ka kaluar boll kohë në pushtet në krye të të gjitha institucioneve të shtetit për të identifikuar, shqyrtuar, zbuluar, analizuar dhe përgatitur dosje për prokurorinë lidhur me afera korruptive të supozuara në nivel të qeverisjes qendrore. Për vite me radhë Kurti ka deklaruar se shteti është I kapur dhe kalbur prej korrupsionit mirëpo u bënë vite që ka fituar pushtetin dhe nuk ka qoftë edhe një aferë të madhe të korrupsionit të zbuluar. Kujtoj këtu që vetëm pak muaj pasi LVV mori drejtimin e Komunës së Prishtinës përgatiti dhe dorëzoi në prokurri 70 dosje të pretenduara me dëshmi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion nga administrata e mëparshme e Isa Mustafa e LDK-së. Tashmë kanë kaluar vite dhe nuk kemi parë qoftë edhe një dosje të vetme të çuar në prokurori. Kjo ose do të thotë që pushtetarët e LVV kanë mashtruar me vite me radhë duke pretenduar për korrupsion masiv ose do të thotë që kanë nisur vetë të marrin rryshfete e prandaj nuk i denoncojnë aferat sepse janë vetë përfituesit e radhës.

Së pesti, hipokrizia shpërfaqet edhe nga fakti që Kurti dhe LVV, kur i ka leverdisur për hir të pushtetit ka bashkëpunuar ngushtë me një pjesë të elitës që denoncon. Në vitin 2014 pranoi të behej partner me AAK, NISMA-N dhe Listën Serbe në kuadër të VLAN-it. Mandej në përpjekje për ta bërë kryeministër Ramush Haradinajn kjo organizatë qe e gatshme të shkatërronte e sulmonte me gur, molotov e gaz lotsjellës. Po ashtu LVV qe e gatshme të shkelte kushtetutën për ta bërë Isa Mustafën kryetar kuvendi dhe herë e thërriste “shërbëtor të Rrahman Morinës” e i hidhte gozhda makinës së tij për ta nxjerrë prej rruges dhe herë “profesor të nderuar” në varesi të hesapit të pushtëtit.

Së gjashti, LVV manipulon me videon dhe të kaluarën e saj, duke denoncuar 20 vjet keq-qeverisje, por duke fshehur periudhën e protektoratit ndërkombëtar. Vitet e para të LVV janë fokusuar pikërisht tek denoncimi i ndërkombëtarëve të UNMIK-ut dhe EULEX-it si neo-kolonialistë duke i trajtuar politikanët vendas si vegla në duart e të huajve. Tashmë, meqënëse i leverdis ndryshe, i quan politikanët vendas si përgjegjës për dekaden e protektoratit ndërkombëtar dhe administratën e huaj as që e përmend.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, nga kjo video është nënkuptuar, por nuk është shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë doktrina e LVV që pretendon se Kosova ka qenë mirë kur ishte e pushtuar, por ata që erdhën pas çlirimit e kanë shkatëruar.  Thënë ndryshe, dogma e LVV se këta e kanë “shkatërruar Kosovën këto 20 vjet” është një amnesti që i bëhet rregjimit të Millsheviqit. Kjo retorikë ka nënkuptuar se  kinse “ Millosheviqi kishte lënë Kosovën në rregull”, por mandej u shkatërrua nga pushtetarët vendas të çlirimit. Pra sipas LVV e Kurtit të gjitha të këqijat i kanë ardhur Kosovës pas çlirimit këto 20 vjet, duke lënë të kuptohet se nën pushtimin serb gjerat shkonin mbarë. Sa herë që dikush thotë që këta “tash e 20 vjet e kanë shkatërruar Kosovën” ushqejnë vërsionin serb të historisë, sepse në të vërtetë thonë se gjërat para çlirimit shkonin më mirë.

Shpërndaje në: