Nurellari: Qeveria Kurti përsëri sot poshtëroi qytetarët e Shqipërisë duke mos i lejuar të hyjnë në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Kryesisë PDK-së, Adri Nurellari, ka reaguar sot ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila ka vendosur që mos t’i lejoj qytetarët e Shqipërisë të hyjnë në Kosovë pa test PCR pavarësisht nëse i kanë dy doza të vaksinimit

Nurellai tha se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti sot përsëriti skenat e dhimbshme dhe poshtëruese të kthimit në kufi të qytetarëve Republikës së Shqipërisë

Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Partia populiste Vetëvendosja dhe lideri i saj karizmatik Kurti e ka ndërtuar karrierën opozitare duke u thirrur në bashkim kombëtar, mirëpo kur është në pushtet bën krejt të kundërtën përkundrejt bashkëkombasve.

Deklarata e plotë e Adri Nurellarit:

Sot u përsërit skena e dhimbshme dhe poshtëruese e kthimit në kufi të qytetarëve Republikës së Shqipërisë prej autoriteteve të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës dje pasdite ka miratuar masat të reja shtrënguese për luftimin e Pandemisë të cilat I ka vënë zbatim menjëherë për pak orë më pas, duke mos iu lënë kohë qytetarëve që të informoheshin, të përshtateshin apo të merrnin masa që do shmangnin këtë situatë fyese të bllokimit në kufi.

Partia populiste Vetëvendosja dhe lideri i saj karizmatik Kurti e ka ndërtuar karrierën opozitare duke u thirrur në bashkim kombëtar, mirëpo kur është në pushtet bën krejt të kundërtën përkundrejt bashkëkombasve. Me këtë sjellje ndaj shtetasve të Republikës së Shqipërisë dhe pjesës tjetër të kombit, Kurti nxjerr në pah hipokrizinë e tij të thellë e dëshmon se ai patriotizmin e ka përdorur vetëm si instrument elektoral.

Vendet perëndimore të zhvilluara që kanë vendosur këtë rregullt të rreptë për shtetasit e huaj që kalojnë kufinjtë e tyre, numërohen me gishta. Kjo është një kërkesë e tepërt dhe e paarsyeshme pasi si Kosova ashtu edhe Shqipëria, vaksinën e tretë kanë nisur ta administrojnë në fillim të dhjetorit, pra vetëm para pak javësh. Pra edhe po të donin qytetarët që ta merrnin dozën e tretë, do e kishin të pamundur sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë.

Ky vendim është përseritje e sjelljes së njëjtë shpërfillësie ndaj Republikës së Shqipërisë gjatë mandatit të parë qeverisës të Kurtit dy vjet më parë. Gjatë muajve të parë të pandemisë ai e mbylli plotësisht kufirin me Shqipërinë ndërkohë që e la plotësisht të hapur me Serbinë. Të gjithë e mbajnë mend se si ai e dorëzoi sovranitetin mbi një pjesë të territorit e popullsië në dorën e Beogradit duke lejuar qindëra zyrtarë serbë që të hynin në Kosovë dhe të kujdeseshin për shtetasit kosovarë me kombësi serbe. Ndërsa serbët e Kosovës trajtoheshin në spitalet e Vranjës, Nishit e Beogradit dhe lejoheshin të hynin e dilnin lirshëm nga kufiri i Kosovës, kufiri me Shqipërinë mbetej i bllokuar.