Nurellari: Qeveria po e pranon pa kuptuar ‘taktikën e sallamit’ të Serbisë

Nurellari: Qeveria po e pranon pa kuptuar ‘taktikën e sallamit’ të Serbisë

Në një postim në Facebook, anëtari i kryesisë dhe sekretari për program i PDK-së ka kujtuar se nesër skadon moratoriumi për çnjohje që u nënshkrua në Uashington dhe qeveria është e papërgatitur për t’u përballur me rinisjen e fushatës së çnjohjeve nga Serbia.

Sipas tij, Qeveria e ka nxjerrë jashtë funksioni shërbimi diplomatik në kohën me delikate dhe vetëm nga fillimi i vitit që vjen mund të zëvendësohen ambasadorët e shkarkuar.

Për të është veçanërisht alarmante mungesa e ambasadorit në Kanbera dhe Dakar prej nga mbulohet Paqësori dhe Afrika ku edhe ka më shumë gjasa të arrihen çnjohje prej veprimtarisë së shtuar të diplomacisē serbe.

Nurellari shtjellon se Serbia po aplikon kundër Kosovës “taktikën e sallamit” duke ndërmarrë iniciativa jo vetëm në diplomaci por edhe rrafshe të tjera. Ky term tregon ai “nënkupton përdorimin e lëvizjeve e provokimeve të vogla, asnjëra prej të cilave në vetvete nuk do të përbënte një shkak për të rishpërthyer konfliktin (casus belli), por në mënyrë kumulative, pra të mbledhura bashkë, ato prodhojnë një rezultat shumë të madh në favor të palës që i ndërmerr.”

Për sekretarin e PDK-së veprime si dërgimi i qindëra funksionarëve shëndetësorë gjatë pandemisë, vendosja gurit të universitetit paralel, mbajtja targave jolegale në veri, apo koncerti i bendit çetnik në Leposaviq janë ilustrim i taktikës së sallamit. Pala serbe me këto hapa “pret feta shumë të hollë” që nuk bien shumë në sy, mirëpo pak e nga pak kështu “kafshohet një copë e madhe sallami”. Sipas Nurellarit qeveria po e “gëlltit këtë “taktikë të sallamit” pa kurrfarë ngurrimi” sepse po i nënvlerëson dhe nuk po kundërvepron ndaj asnjërës prej këtyre nismave të sofistikuara të Beogradit.

Postimin e mbyll duke shkruajtur se “ pushtetarët aktualë kanë kaluar gjithë jetën e deritanishme politike me opozite të dhunshme destruktive e duke lexuar dogma neomarksiste të padobishme dhe prandaj gjenden sot pa përvojën dhe kompetencën që nevojiten për të drejtuar siç duhet një shtet demokratik me sfida të panumërta si Kosova”. Prandaj ai propozon shikimin e një pjese nga telekomedia britanike “Yes Prime Minister” për të kuptuar si funksionon “taktika e sallamit”.

Shpërndaje në: