‘NY Times’: Kosova dhe Shqipëria, ndër vendet e pakta ku mund të shkojnë amerikanët

Periskopi.com Lajme
Gazeta prestigjioze amerikane, “The New York Times”, e ka publikuar një listë të shteteve që mund të vizitohen nga qytetarët e SHBA-së edhe në kohën e pandemisë, ndonëse ata mund të përballen me disa kufizime edhe në këto vende. Në listë ndodhen Kosova dhe Shqipëria.

Për amerikanët që kanë shumë dëshirë t’i vazhdojnë udhëtimet ndërkombëtare, këto janë shtetet që tash për tash ua lejojnë hyrjen qytetarëve amerikanë, ndonëse mund të ketë disa kufizime, shkruan gazeta e njohur.

Ndonëse shumë shtetet janë të paarritshme për vizitorët amerikanë për shkak të shkallës së lartë të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, mbi 20 vende kanë filluar t’i mirëpresin ata, ndonëse disa kushte janë ende në fuqi, shkruan “The New York Times”, transmeton Gazeta Express.

Departamenti i Shtetit po e mban në fuqi nivelin e katërt të Këshilluesit Shëndetësor Global, me të cilin rekomandohet shmangia e udhëtimeve ndërkombëtare për shkak të pandemisë. Megjithatë, autoritetet gjithashtu kanë ofruar të dhëna specifike për shtetet të caktuara pas lehtësimit të masave të kufizimit.

Për Kosovën, gazeta shkruan: Kosova është e hapur për vizitorë pa kufizime rreth Covid-19, ndonëse rekomandohet që udhëtarët të kenë test që dëshmon se kanë dalë negativë në katër ditët e fundit para ardhjes. Zyrtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës po kërkojnë që ata që vijnë apo largohen nga vendi të shoqërohen vetëm nga një person në mënyrë që të zvogëlohet tollovia.

Për Shqipërinë, në tekstin e gazetës së njohur shkruhet: Shqipëria i rihapi kufijtë në pjesën e parë të qershorit me kontrolle të shtuara dhe masa të karantinës në fuqi. Sidoqoftë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit, Ambasada e ShBA-së në Shqipëri i ka pezulluar të gjitha shërbimet, përpos atyre emergjente. Deri në fund të qershorit, hapësirat e brendshme të bareve, restorantet dhe klubet e natës kanë qenë të mbyllura, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Përpos Kosovës dhe Shqipërisë, në listën e vendeve ku mund të shkojnë amerikanët, sipas kësaj gazete, ndodhen edhe Maqedonia Veriore, Kroacia, Turqia, Serbia, Britania e Madhe, Ukraina, Meksika dhe disa shtete të tjera më të vogla.

Shpërndaje në: