“O dora…”, pamje të arrestimit të aktivistëve të PSD-së qe penguan policinë në arrestimin e Dardan Molliqajt

“O dora…”, pamje të arrestimit të aktivistëve të PSD-së qe penguan policinë në arrestimin e Dardan Molliqajt

Policia e Kosovës sot ka arrestuar kreun e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe katër aktivistë të tjerë të PSD-së, Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Korab Korça, dhe Gëzon Kastrati.

Nga pamjet e arrestimit dëgjohet njëri nga aktivistët, Korab Korça, duke bërtitur “O dora…”.

Dardan Molliqaj u arrestua pasi ndaj tij kishte një urdhërarrest nga Gjykata, ndërsa të tjerët u prangosën pasi provuan ta pengojnë arrestimin e Molliqajt.

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas arrestimit të kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistëve tjerë të këtij subjekti.

Sipas PSD, ata u arrestuan dhunshëm nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës arreston me dhunë, grushte e me sharje aktivistët e PSD-së menjëherë pas protestës së veteranëve të UÇK-së. Pushtetit po i pengon protesta e veteranëve. Nuk ka arsyetim tjetër për mllefin e zellin për dhunë që e përdorën sot”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PSD-së.

Lidhur me arrestimin e tre zyrtarëve të PSD-së, Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media.

Në komunikatë thuhet se të gjitha veprimet e zyrtarëve policorë janë realizuar konform autorizimeve ligjore, përderisa veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës (PK), bazuar në urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë, sot në orët e pasdites në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ka arrestuar personin D.M, i cili ishte në kërkim. Njësitet policore, po ashtu kanë arrestuar edhe tre persona (F.K, Z.H, G.K,) të cilët kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, të cilët kanë tentuar t’u pamundësojnë zyrtarëve policorë zbatimin e urdhër arrestit”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në: