OAK kërkon ndryshime urgjente në festat zyrtare

OAK kërkon ndryshime urgjente në festat zyrtare

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) kërkon nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Në një komunikatë për media, OAK konsideron se praktikat e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë vendin në aspektin financiar dhe ndërkombëtare.

OAK kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi.

OAK gjithashtu kërkon që të festohen por të mos jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maji, Dita e Evropës.

OAK kërkon gjithashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për të gjithë vendin.

OAK, mbetet me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa, aq shumë të nevojshme për vendin me papunësinë më të madhe në kontinent dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë./ kp

Shpërndaje në: