Objektivi im, rritja e të hyrave të Korporatës

Objektivi im, rritja e të hyrave të Korporatës

U emërua drejtor i Korporatës Energjetike, në një proces transparent dhe profesional, ku në dy fazat e intervistimit mori vlerësimet maksimale nga të gjithë anëtarët e Bordit të Drejtorëve e po ashtu edhe të ekspertëve të Ambasada Britanike, proces i mbikëqyrur edhe nga shoqëria civile, duke hedhur poshtë dyshimet eventuale se erdhi në këtë pozitë vetëm pse mban mbiemrin Thaçi dhe pse është i afërt i presidentit aktual.

Fjala është për Njazi Thaçin, inxhinierin e diplomuar të Elektros i cili është pjesë e KEK-ut nga viti 2007-të. Kreu i ri i kësaj kompanie në një intervistë për Gazetën Lajm tregon si është gjendja aktuale në KEK, cilat janë objektivat kryesore të tij për ta çuar përpara këtë kompani, ndërsa flet edhe për shpronësimet në Hade dhe Shipitullë, ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” e çështje tjera…

 Javë më parë keni marrë detyrën si drejtor i KEK-ut. Si është gjendja e përgjithshme e kësaj kompanie? Sa është numri i punëtorëve dhe sa fitimi vjetor?

Njazi Thaçi: Fillimisht me lejoni të jap një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes në Korporatë dhe pastaj të fokusohemi në pyetjet tjera për të cilat jeni të interesuar.

KEK-u me kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike, në termocentralet  “Kosova A” dhe “Kosova B” përben rreth 97 % të energjisë qe prodhohet në vend dhe me këtë prodhim mbulohet rreth 90 % e konsumit në Kosovë.

Sa i përket zhvillimit afarist, prodhimit të energjisë elektrike dhe gjenerimit të thëngjillit, besoj jeni të njoftuar se përkundër sfidave të vazhdueshme kemi arritur ta mbajmë KEK-un në nivelin me të mirë të mundshëm. Në aspektin afarist, siç e keni parë edhe në raportin vjetor të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, jemi kompania publike me performancën me të mirë në treg, me rreth 20 milionë euro fitim vjetor.

Janë mbyllur me sukses të gjitha obligimet financiare të dala nga procesi i shpronësimeve e që ka qenë një barrë bukur e madhe.

Janë paguar të gjitha obligimet që kemi ndaj shtetit, përveç obligimeve tatimore, pagesa e tatjemes, obligimet nga huazimi që kemi marrë para disa viteve nga buxheti i shtetit dhe të gjitha obligimet tjera kontraktuale dhe të obliguara me ligj për punëtorët.

Të pjesa teknike dhe operative me kohë kemi realizuar të gjitha remontet e parashikuara dhe falë kësaj po i mbajnë në punë maksimalisht në prodhim blloqet e termocentraleve të “Kosovës A” dhe “Kosovës B”.

Të pjesa e thëngjillit, përkundër që kemi pasur një bllokadë totale për rreth 1 vit e gjysmë, kemi arritur të kthejmë rezervat e mjaftueshme të thëngjillit për sezonin e dimrit.

Aktualisht, sipas raportit të fundit, në deponinë e “Kosovës A” i kemi mbi 88 mijë Tona rezerva të thëngjillit, kurse në “Kosovën B” mbi 293 mijë Tona rezerva. Në dy deponitë kemi mbi 382 mijë tonë thëngjill.

Cilat janë objektivat tuaja kryesore që do bazoni punën tuaj për të çuar para këtë kompani?

Njazi Thaçi: Fillimisht duhet theksuar se është fat i madh që tani kemi arritur në fazën kur po diskutojmë për projekte të mëdha dhe afatgjatë dhe nuk jemi të fokusimi vetëm për t’i mbajtur asetet në gjenerim me kapacitetet siç janë aktualisht. Falë një punë të madhe dhe përkushtimi maksimal që është bërë për një dekadë, tani kemi ardhur në fazën e zgjerimit dhe po punojmë në disa drejtime. Objektiv i imi është që të rrisim të hyrat e Korporatës duke rritur dinamiken e punës dhe njëkohësisht duke zhvilluar edhe në disa drejtime tjera.

E para, kemi filluar përgatitjet që të hymë në një prej projekteve me të mëdha të prodhimit të energjisë solare. Kjo është e mundshme dhe KEK-u ka kapacitetet për të realizuar këtë. Kemi tokat e degraduara, pra ato toka ku kemi nxjerrë thëngjill dhe të cilat po synojmë t’i kthejmë në parqe solare. Me këtë projekt do të arrihen edhe objektivat e BE-së në sektorin e energjisë sa i përket kushtit për 20 % energji alternative ose të gjelbër sido që ta quajmë.

Objektivi tjetër është që të rrisim të hyrat e korporatës me shitjen e thëngjillit. Deri më tani KEK-u ka pasur kontratë për shitjen e thëngjillit vetëm me ndërmarrjen “Kosova Thëngjilli” për tregun e brendshëm, mirëpo tani jemi duke i bërë përgatitjet që të shesim për tregun e jashtëm. Strategjia jonë është që të shesim sasi të thëngjillit në shtetet e rajonit duke mos e rrezikuar në asnjë rast rezervat për termocentralet tona. Kjo sasi e thëngjillit që po synojmë ta nxjerrim në treg është një sasi e madh të cilën ne edhe ashtu nuk po mund ta shfrytëzojmë maksimalisht.

Kosova është vendi i tretë në Evropë për rezervat e thëngjillit, ndërsa vendi i pestë në botë. Duke pasur parasysh këtë fakt a do i shfrytëzoni këto rezerva për të rrit të hyrat e KEK-ut?

Njazi Thaçi: E përmendem edhe me herët, që tashme jemi duke punuar në këtë drejtim. Janë bërë të gjitha llogaritjet dhe plani si të shfrytëzohet në mënyrë sa më të mirë të mundshme thëngjilli që nxirret në miniera. Me tregu pak më në detaje, gjatë kohës sa ekskavatorët e mëdhenj nxjerrin thëngjillin një sasi bukur e mirë mbetet, siç i quajmë ne, nëpër gjepa për shkak se nuk mund të manipulohet teknikisht me ekskavator të mëdhenjtë për të grumbulluar edhe këtë sasi. Pra, mbetet një sasi e thëngjillit të cilën do ta nxjerrim me teknikë diskontinuale dhe këtë sasi do të nxjerrim në shitje për tregun e jashtëm. Po ashtu, varësisht nga kërkesat mund të shesim edhe sasi të thëngjillit të cilat janë të destinuara për termocentralet tona por në periudhat kur janë jashtë funksionit për shkak të remonteve të planifikuara.

Ç’po bëhet me shpronësimet në Hade dhe Shipitullë? A ka përfunduar krejtësisht kjo çështje apo jo?

Njazi Thaçi: Sa i përket zonës se parë, pra aty ku kemi qenë të bllokuar për rreth 14 muaj është finalizuar gjithçka me sukses. Mendoj se në afat rekord kemi arritur të i mbyllim të gjitha obligimet financiare ndaj pronarëve. Është bërë një punë e madhe edhe me një dinamik të shtuar nga ana e Qeverisë dhe komisioneve vlerësuese dhe pas arritjes se marrëveshjeve ne e kemi përfunduar obligimin tonë ndaj pronarëve të këtyre pasurive. Tani është në proces të vlerësimit edhe zona prej 120 hektarësh.

Një çështje mjaft e përfolur është  edhe ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”. Çmendim keni ju?

Njazi Thaçi: Disa herë jam deklaruar rreth kësaj pyetje. Mendoj që çdo investim në kapacitetet e reja energjetike është i mirëseardhur, e forcon ekonomin e vendit e rritë mirëqenën e qytetarëve dhe mbi të gjitha e rritë fuqinë e shtetit. Kosova fatmirësisht i ka këtë pasuri të thëngjillit dhe duhet të shfrytëzohen në të mirë të qytetarëve dhe shtetit. Kështu vlerësoj unë sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike. Në aspektet tjera nuk është në kompetencat e mija të vlerësoj.

Ne si KEK- i kemi obligimet tona për furnizim me thëngjill të termocentralit pasi të ndërtohet “Kosova e Re” dhe në këtë pjesë jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet me hapjen e minierës së re dhe jemi të sigurt që do t’i përmbahemi në përpikëri kontratës dhe obligimeve tona.

Gjatë vizitës që keni bërë së fundmi në termocentrale keni thënë se pajisjet e kanë kaluar çdo jetëgjatësi. Sa është vështirë të punohet me to dhe a ka ndonjë plan se kur mund të blihen pajisje të reja?

Njazi Thaçi: Njësia me e re gjeneruese e KEK-ut është lëshuar në punë para 35 viteve, pra në vitin 1983 është lëshuar në punë blloku “B2” i Termocentralit “Kosova B”. Ka qenë shumë e vështirë për shkak të vjetërsisë e po ashtu të natyrës komplekse që ka kjo industri.

Por falë një përkushtimi shumë të madh dhe kujdesi të vazhdueshëm kemi arritur që t’i mirëmbajmë dhe të shënojmë rekorde në prodhim sikur të ishin të teknologjisë së fundit. Për herë të parë po e përmendi një statistikë që e ilustron atë që themi rekord i cili ndoshta është i pabesueshëm për të gjitha ata që e njohin natyrën e kësaj industrie dhe teknologjinë të cilën e kemi.

Nga viti 2013, siç mund t’i shihni edhe raportet vjetore të deklarimeve, kemi arritur pikën më të lartë të prodhimit duke kaluar edhe nivelin që kishin njësit në vitin e parë të prodhimit, pra kur kanë qenë të reja. Pra kemi arritur t’i mbajmë në prodhim dhe mirëmbajtje më mirë se në vitet e para kur janë instaluar. Shembull, në vitin 1983 ka pas mbi 100 ramje të pa planifikuar brenda një viti, ndërsa sot blloqet tona ndodh të bijën me pak se 10 herë në vit. Kjo është arrit falë një përkushtimi të madh, investimeve qe janë bërë dhe planifikimit me kohë për  remonte të rregullta.

Për fund, cila do jetë gjendja me energji elektrike gjatë këtij dimri? Do ketë 24 orë rrymë?  

Njazi Thaçi: KEK sipas licencës nga viti 2013 ka përgjegjësinë ekskluzive për prodhimit të energjisë elektrike dhe eksploatimit të thëngjillit. Janë operatorët tjerë në treg qe kanë përgjegjësi sa i përket furnizimit. Korporata Energjetike e Kosovës, gjatë nëntë mujorit të këtij viti ka arritur me sukses të realizojë  prodhimin konform planifikimeve dhe bilancit energjetik. Po ashtu kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për  periudhat e ardhshme. Janë bërë të gjitha remontet sipas planifikimeve te parapara dhe janë krijuar rezerva te mjaftueshme te thëngjillit. Si rrjedhim, jemi te bindur se prodhimi do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, duke respektuar me përpikëri obligimet kontraktuale ndaj KEDS/KESCO, i cili ka licencën dhe obligimin e furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike.

Në këtë mënyrë, duke realizuar planet për prodhim te qëndrueshëm dhe duke ofruar tërë sasinë e energjisë elektrike të prodhuar nga KEK-u për tregun e brendshëm, krijojmë mundësinë për një çmim të ulët që qytetarët e paguajnë.

Shpërndaje në: