OBSH paralajmëron se imuniteti i tufës nuk do të ndodhë gjatë vitit 2021: Ç’do të thotë kjo?

OBSH paralajmëron se imuniteti i tufës nuk do të ndodhë gjatë vitit 2021: Ç’do të thotë kjo?

Pavarësisht se vaksinat kundër Covid-19 po përhapen gjithnjë e më shumë në shtete të ndryshme, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se imuniteti i tufës nuk do të arrihet këtë vit.

Imuniteti i tufës është një formë e mbrojtjes në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nga sëmundja infektive që ndodh kur një përqindje e mjaftueshme e një popullate është imune ndaj një infeksioni, qoftë përmes vaksinimit ose infeksioneve të mëparshme, duke zvogëluar kështu gjasat e infeksionit për individët që nuk kanë imunitet. Përqindja e popullsisë imune ndryshon në varësi të infeksionit.

Shkencëtarja kryesore e OBSH-së, Soumya Swaminathan, paralajmëroi se do të duhet kohë për të prodhuar dhe administruar doza të mjaftueshme vaksinash për të ndaluar përhapjen e virusit.

“Ne nuk do të arrijmë asnjë nivel të imunitetit të popullsisë ose imunitetit të tufës në vitin 2021,” tha ajo në një konferencë shtypi virtuale nga selia e OBSH-së në Gjenevë, duke theksuar nevojën për të vazhduar masa si distancimi fizik, larja e duarve dhe mbajtja e maskave për të frenuar pandeminë.

Ajo vlerësoi “përparimin e pabesueshëm” të bërë nga shkencëtarët, të cilët arritën të krijonin jo një, por disa vaksina të sigurta dhe efektive kundër një virusi të ri brenda një viti. Por, theksoi Swaminathan, përhapja “kërkon kohë”.

“Duhet kohë për të shkallëzuar prodhimin e dozave, jo vetëm në miliona, por këtu po flasim në miliarda,” vuri në dukje ajo, duke u bërë thirrje njerëzve që “të jenë pak të durueshëm”.

Do të jetë e nevojshme të vazhdohet marrja e masave për shëndetit publik të cilat synojnë ndaljen e transmetimit për “të paktën pjesën tjetër të këtij viti”.

Shpërndaje në: