Opozitës nuk i intereson qysh përplaset Kurti me Borrellin: S’ka referendum të Serbisë në Kosovë

Opozitës nuk i intereson qysh përplaset Kurti me Borrellin: S’ka referendum të Serbisë në Kosovë

Referendum serb në Kosovë. Një çështje problematike që ka alarmuar institucionet e Republikës dhe po shkakton mospajtime e përplasje edhe me spektrin ndërkombëtar. Përderisa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq tha se referendum i tyre do të shtrihet edhe veri, pastaj kryeministri Albin Kurti e kundërshtoi, në fund erdhi deklarata e ndërmjetësuesit të BE’së, Joseph Borell se diçka e tillë duhet të ndodh. Opozita e Shoqëria Civile e shohin anti-Kushtetuese….

Gjatë ditës së djeshme, Kurti dhe Borell patën një muhabet telefonik. Kryeministri ia bëri të qartë se në atë referendum mund të marrin pjesë serbët e Kosovës veç përmes votimit me postë apo zyrës ndërlidhëse në Prishtinë. Mirëpo, Borell sot doli me qëndrimin se Serbia lirshëm duhet të mbajë referendumin e vet në shtetin e Kosovës.

Kjo gjë nuk u prit mirë as nga Këshilli për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) të cilët i bënë thirrje opozitës por edhe shoqërisë civile që të kundërshtojnë një veprim të tillë.

E lidhur me këtë, Periskopi ka kontaktuar shefin e Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashin i cili thotë se synime të tilla do të cenonin integritetin territorial të vendit tonë por edhe do të shkelte Kushtetutën e Kosovës.

‘’Ne besojmë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk duhet me u ndërmarë, sidomos prej vendeve fqinje dhe është anti-Kushtetues ndaj integritetit territorial të Kosovës’’, ka thënë Gashi.

Lidhur me përplasjen Kurti-Borrell për referendumin serb, Gashi thotë:

‘’ Mënyra se si i komentojnë ata është çështje tjetër por me rëndësi prioritare është çështja territoriale dhe integriteti i shtetit të Kosovës’’.

I ashpër me këtë situatë të krijuar është treguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, i cili për Periskopin thotë se nëse përnjëmend Borrell ka një qëndrim pro-serb, duhet të konsiderohet ‘’Non-Grata’’.

‘’ Nëse Borrelli vërtet e ka këtë qëndrim në përputhje me pretendimin serb, atëherë e di që si shtet dhe vend e kemi problem ta shpallim, por ai duhet të konsiderohet ‘’Non Grata’ për të qenë më tutje pjesë  e procesit politik të Kosovës. Nëse Borrell thotë se kjo Kushtetutë e ligj nuk mund ta ndaloj këtë, atëherë Borrell është i padenjë për ta përfaqësuar as BE’në si ndërmjetësues dhe as të jetë palë lehtësuese mes neve në dialog. Sepse po tregon se nuk po flet si përfaqësues i BE’së por si spanjoll që nuk na njeh dhe të sheh hala si pjesë e Serbisë’’,ka thënë Berisha.

Tutje Berisha bën thirrje që përfaqësuesit institucional të flasin me gjuhën e Kushtetutës dhe ligjeve.

‘’Këtu s’ka nevojë për përplasje, përfaqësueit institucional të Kosovës duhet të mësohen të flasin si nga një shtet sovran dhe i pavarur. Pse duhet të përplaset Kurti me Borellin kur mundet me i folë me atë gjuhë’’, tha ai.

‘’Ky referendum në formën siç e pretendon Serbia dhe nëse ai është edhe qëndrimi i Borrellit, nuk duhet të mbahet dhe duhet të ndalohet me çdo mjet institucional dhe ligjor të vendit. Çka duhet bërë? Duhet të identifikohet dhe kualifikohet si shkelje ligjore e Kushtetueshmërisë nëse lejohet një organizim i tillë i referendumit dhe pretendimi. Në momentin që identifikohet ashtu, atëherë mekanizmat duhet të veprojnë. Dhe kjo është në ndesh me statusin e Kosovës si shtet i pavarue dhe duhet vepruar me gjitha mekanizmat’’, shtoi Berisha për Periskopin.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe kolegu i tij deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha. Ndonëse nuk janë tubuar ende brenda partisë që të vendosin për qëndrimin final karshi kësaj teme të ndjeshme, Berisha për Periskopin thotë se natyrisht që do e kundërshtojnë.

‘’Ne nuk jemi mbledh hala me e diskutu këtë çështje. Duhet me e trajtu këtë punë, por normalisht që nuk mundemi me pranu këtë.’’ Normal që Qeveri Kurti është dashtë me kundërshtu, normale është kjo. Tamon puna me e pranu’’, shtoi ai për Periskopin.

Referendumi i Serbisë pritet të mbahet të dielën e kësaj jave, ku shteti fqinj synim ka që atë ta shtrijë edhe në veriun e Kosovës, me qëllim që  pjesëmarrës të jenë serbët që jetojnë në atë pjesë./PERISKOPI/

Shpërndaje në: