Orët e humbura nuk duhet kompensuar, deputetët të mos bëjnë presion kundërligjshëm

Orët e humbura nuk duhet kompensuar, deputetët të mos bëjnë presion kundërligjshëm

Orët e mësimit, të humbura gjatë tri javëve sa zgjati greva e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit nuk do të kompensohen, pasi një gjë të tillë nuk e obligon Ligji për Greva, i cili është në fuqi. Andaj, deputetët nuk do të duhej të bënin presion që të shkelet një Ligj të cilin vetë e kanë miratuar. Kështu ka thënë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili në një intervistë të shkurtër për Periskopin ka folur për raportimin e sotëm para deputetëve të Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji.

Jasharaj në këtë intervistë foli për insistimin e ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi që vendimi i tij për kompensimin e orëve të humbura të mos pezullohet dhe veprimet e mëtutjshme të SBASHK’ut kundër këtij vendimi.

INTERVISTA E PLOTË 

Si e shihni presionin e disa prej deputetëve, të cilët gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit kërkuan që të zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës?

Shpreha habi pse deputetët insistojnë zëvendësimin e orëve. Ata do të duhej të kërkonin zbatimin e ligjeve në Kosovë, siç është edhe Ligji për Greva, të cilin e kanë votuar vetë dhe ai Ligj nuk na obligon me i kompensua orët. Po të insistohet kështu, atëherë humb vlera e grevës, sepse institucionet thonë se le të mbajnë greva, pasi orët do t’i kompensojnë më pas. Unë edhe njëherë kërkova që ministri i Arsimit të tërheq vendimin për kompensimin e orëve, por ai nuk pranoi, andaj ne mbetëm me vendimin e Këshillit Drejtues që orët të mos kompensohen deri në vendimin e Gjykatës, i cili na obligon, sido që vendosin.

A keni marrë ndonjë informacion nga Gjykata, lidhur me padinë tuaj. Çka është duke ndodhur me të?

Jo ne ende nuk kemi marrë përgjigje dhe po duket se institucionet po duan të krijojnë mjegull. Ne i kemi kërkuar Gjykatës që të pezullohet fillimisht vendimi i Ministrit, e më pas të vendoset se si do të trajtojnë padinë tonë. Gjykata nuk e ka parë të rrugës që të pezullohet vendimi i MASHT’it, kështu që padia jonë shkon në seancë të rregullt dhe vendoset dhe unë po them se SBASHK’u është në pritje të vendimit të Gjykatës. Unë thash që të pezullohet vendimi i Ministrisë, e më pas mësimdhënësit të vendosin vetë se si do t’ia bëjnë me kompensim të orëve, për hir të shpjegimit të materies që duhet. Unë po them se SBASHK’u është në pritje të vendimit të Gjykatës. Po presim që ministri të marr vendim të duhur e ta pezullojë vendimin për kompensimin e orëve. Por situata siç doli nga Komisioni parlamentar, dy palët mbetem me vendimet tona – ne SBASHK’u kërkojmë të mos kompensohen orët, ndërsa ministri kërkon të kompensohen ato.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit u bë thirrje që nga e shtuna e ardhshme të fillojë zëvendësimi i orëve të humbura. Si do të veprojë SBASHK’u?

Ne prapë do t’ju bëjmë apel mësimdhënësve ta respektojnë vendimin e Këshillit Drejtues, pasi anëtarët e këtij Këshilli janë përfaqësues të tyre dhe vetë mësimdhënësit janë deklaruar se nuk duan t’i zëvendësojnë orët e tyre. SBASHK’u nuk do të insistojë nëse ndonjë mësimdhënës e sheh të rrugës të respektojë vendimin e ministrit. Le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Megjithatë, ne bëjmë thirrje që këto orë të mos kompensohen. Por, nuk do të duhej sepse më pas grevat do të ishin shumë më të zbehta.

Pse po insistohet që të mbetet në fuqi një vendim që bie ndesh me ligjet në fuqi [siç është Ligji për Greva, që nuk e obligon zëvendësimin e orëve të humbura]?

Më është dashur ta stopoj implementimin e këtij vendimi, që tensionet të ulen e gjykata të sjell vendim meritor obligativ për të gjitha palët, mirëpo Gjykata nuk e tërhoqi vendimin e ministrit. Ministri po insiston që të realizohet vendimi i tij. E ne do të insistojmë që të mos respektohet një vendim i tillë.

A do të ketë takime mes SBASHK’ut dhe ministrit Bytyqi, në mënyrë që të zgjidhen problemet mes dy palëve dhe të mos ketë paqartësi për mësimdhënësit e nxënësit?

Paqartësi nuk ka, pasi mësimdhënësit edhe gjatë grevës janë deklaruar vetë dhe e dinë që Ligji nuk obligon kompensimin e orëve. MASHT duhet ta thërras SBASHK’un e të diskutohet për këto çështje. Nuk po shoh ndonjë mundësi të zgjedhjes, mëgjithatë vendimi duhet të mbetet në fuqi.

Intervistoi: Artina Muçiqi 

Shpërndaje në: