Osmani leksion Kurtit për shaminë: Pragu 16 vjet kërkon ndryshimin e Kushteutës

Osmani leksion Kurtit për shaminë: Pragu 16 vjet kërkon ndryshimin e Kushteutës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se do të kërkohej ndryshimi i Kushtetutës nëse Qeveria mendon ta zbresë në 16 vjet pragun për lejimin e mbajtjes së shamisë në shkolla.

E pyetur nga T7 për këtë çështje, Osmani tha se Kushtetuta e ka përcaktuar një parim themelor që është fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi juridiko-kushtetues dhe ai është parimi i laicitetit.

“Në radhë të parë më lejoni të potencoj që Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të jetë, vazhdon të jetë orientim parësor i institucioneve të Republikës së Kosovës për çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kjo kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues dhe ai është parimi i laicitetit. Prandaj është tejet me rëndësi që në institucionet e Republikës së Kosovës të respektohet ky parim”.

Në qoftë se çështjea e shamisë lidhet me të drejtën e votës, Osmani tha se atëherë kjo “do të kërkojë ndryshim të Kushtetutës, sepse siç e dini, ky prag është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Çështja e dytë që e ka përcaktuar qartë kjo kushtetutë është detyrimi i të gjitha institucioneve publike të Republikës së Kosovës që të respektojnë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si standarde nëpërmjet të cilave zgjidhet çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut. Kurse çështja e tretë që dua ta potencoj është fakti që për dallim nga shumë kushtetuta anekënd botës që nuk ia lejojnë individit të drejtën që ta dërgojë një çështje të lirive dhe të drejtave të njeriut në Gjykatën Kushtetuese, tek ne ekziston kjo mundësi”, ka thënë Osmani.

Kështu, në qoftë se dikush mendon se po i cenohet ndonjë e drejtë, Osmani kujtoi se “ekzistojnë rrugët ligjore, administrative e kushtetuese që ta adresojnë këtë çështje në të gjitha këto instanca deri tek Gjykata Kushtetuese”.

“Si presidente e vendit do të vazhdojë të kërkojë që të respektohen parimet mbi të cilat është ndërtuar jo vetëm Kushtetuta jonë, por edhe shoqëria jonë si shoqëri progresiste, si shoqëri që i shikon parimet dhe vlerat euroatlantike si fundamentale”, tha ajo.

Pas një fushate të ashpër në internet, kryeministri Albin Kurti tha se mendon se pragu 16 vjet është i duhuri për lejimin e mbajtjes së shamisë në shkolla.

 

Shpërndaje në: