Osmani në BBC mesazh Putinit: Do të dështojë në planin për destabilizimin e rajonit përmes Serbisë

Osmani në BBC mesazh Putinit: Do të dështojë në planin për destabilizimin e rajonit përmes Serbisë

Në një intervistë për BBC, që e ka publikuar në llogarinë e saj në Facebook, presidentja Vjosa Osmani thotë se tensionet në Ballkanin Perëndimor, janë të përgatitura nga sateliti i Rusisë në këtë rajon, nga Serbia.

“Tensionet po përshkallëzohen, megjithatë ka pasur përgatitje nga Serbia të nxitura nga Rusia për një kohë të gjatë, për përshkallëzimin e situatës në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti. Në dekadën e fundit që Vuçiq ka drejtuar Serbinë por veçanërisht në muajit e fundit, ata kanë vazhduar të mbështesin strukturat ilegale në veri që përbëhen nga bandat kriminale. Nëpërmjet tyre dhe duke i manipuluar ata janë duke mbajtur pakicën serbe që jeton në Kosovë si peng të këtyre politikave të gabuara”, ka thënë Osmani, përcjell Periskopi.

Gazetarja e BBC-së, e ka pyetur presidenten edhe për deklaratën e kryeministrit Kurti se ‘ditët dhe javët në vazhdim mund të jenë sfiduese’.

“Kryeministri juaj ka thënë se ditët dhe javët në vazhdim mund të jenë sfiduese. A ka rrezik real për mendimin tuaj, për përshkallëzimin e dhunës?”, pyet gazetarja e BBC-së, presidenten Osmani.

“Kosova kurrë nuk ka kontribuuar dhe s’do ta bëj në eskalimin e dhunës. Por ne duhet të kuptojmë që jetojmë afër një fqinji që kontrollohet plotësisht nga Rusia. Ata po luftojnë mënyrën tonë demokratike të jetës, kjo ështënjë luftë kundër vlerave demokratike në të cilat qëndron shteti ynë”, thotë Osmani veç tjerash.

Gazetarja, BBC: Pra, duke folur në terma të tillë për Vladimir Putin, a nuk ekziston rrezik në një mënyrë që edhe gjuha edhe akuzat të jenë ato që në fakt do ta përshkallëzojnë situatën?

“Nuk janë akuzat tona ato që përshkallëzojnë situatën. Janë veprimet e tyre që po përshkallëzojnë situatën dhe po krijojnë tensione.

Pra, praktikisht nëse themi të vërtetën për synimet e Rusisë dhe Serbisë, nuk do të ndikojë negativisht.

Nuk besoj që që e ndimon situatën akomodimi i autokratëve dhe i regjimeve gjenocidale si ai në Rusi”, thotë Osmani.

BBC: Por a nuk do të ishte më mirë të bënim një pauzë më të gjatë për të bërë më shumë biseda?

“Ne jemi duke biseduar për 12 vitet e fundit dhe Kosova gjithmonë ka qenë pozitive. Gjithmonë i jemi përgjigjur dialogut dhe nuk jemi larguar nga tavolina e dialogut dhe kemi qenë pala konstruktive.

Dhe ne kemi nënkshkruar marrëveshje që po i respektojmë. Serbia po e bën të kundërtën”, thotë Osmani.

BBC: A nuk ka rrezik qe Kosova të bëhet një lloj viktime e luftës në Ukrainë. Rreziku është se ju jeni zhytur disi në këtë.

“Kosova është histori suksesi se çfarë mund të arrijë bota demokratike, qëndron kundër tiranive dhe kundër regjimeve gjenocidale. Kosova është një storie suksese me demokraci të zhvilluar dhe ekonomi në zhvillim e sipër.

Serbia dhe Rusia janë të interesuara të sjellin tension në rajon. Nuk do ta tolerojmë këtë.

Nuk do të biem pre e këtyre provokimeve, nuk do t’i nxisim ato, do të punojmë me partnerët tonë që skenari që sapo përshkruar të mos ndodhë”, thotë Osmani.

BBC: Cili është mesazhi juaj për Vladimir Putinin?

“Ai do të dështojë, në Ukrainë dhe absolutisht me qëllimet e tij për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor përmes satelitit të saj, Serbisë”, thotë veç tjerash Osmani./Përgatiti me transkript: Periskopi/

Shpërndaje në: