Osmani pasi bën homazhe: Nga presidenti Rugova gëzojmë shtetin tonë dhe këto miqësi

Osmani pasi bën homazhe: Nga presidenti Rugova gëzojmë shtetin tonë dhe këto miqësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ish-presidenti historik Ibrahim Rugova, është shndërruar në fytyrën e shtetit tonë i cili siç tha ajo, në çdo damar të tij e ka ndikimin që e pati i ndjeri përgjatë jetës së tij.

Pasi ka bërë homazhe bashkë me kryeministrin Albin Kurti, Osmani tha se Rugova punoi dhe veproi në një kohë të vështirë për popullin e Kosovës, në një kohë të okupimit, por arriti të bëjë bashkë popullin.

“16 vjetori i shkuarjes në amshim të arkitektit të pavarësisë së Kosovës,ideatorit të pavarësisë, presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili bëri shumëçka për shtetin tonë saqë është shndërruar në fytyrën e këtij shteti i cili sot në çdo damar të tij e ka edhe ndikimin që e pat presidenti Rugova për gjatë jetës së tij. Ai punoi dhe veproi në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për gjithë popullin e Kosovës, në një kohë të okupimit, por arriti të bëjë bashkë popullin e Kosovës rreth kauzës së shprehur në trinomin liri, pavarësi dhe demokraci, dhe në të njëjtë kohë arriti për Kosovën të ndërtojë miqësi aq të madhe që u bën të domosdoshme për të arritur lirinë dhe pavarësinë tonë dhe për të parë sot shtetin demokratik të Kosovës”, tha Osmani.

Presidentja tutje tha se për shkak të punës dhe veprës së tij, sot gëzojmë shtetin tonë.

“Gëzojmë shtetin tonë dhe gëzojmë këto miqësi të cilat me që aq shumë mund e përkushtim i ndërtoi Rugova për shkak të punës së tij dhe të shumë burrave dhe grave të tjerë që punuan që ne sot ta kemi shtetin dhe lirinë. Kujtimi për të do të jetojë në zemrat dhe mendjen e gjithë qytetarëve të Kosovës përjetësisht ndërkaq vepra e tij do të vazhdojë të mbetet udhërrëfyes për ne”, tha ajo.

Shpërndaje në: