Osmani për deklaratën e Vulinit: Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak ka ndodhur një realitet

Osmani për deklaratën e Vulinit: Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak ka ndodhur një realitet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të politikanit serb, Aleksander Vulin, rreth masakrës së Reçakut.

Osmani ka thënë se përpjekja e Vulinit si një ish-zëdhënës i gruas së kriminelit Sllobodan Millosheviq, për të ndryshuar faktet historike është e pamundur dhe e paarritshme.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Zyra e Presidentes.

“Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, theksohet tutje në reagim.

Shefja e shtetit ka shtuar tutje se përpjekjet e tilla të Serbisë janë vazhdimësi i regjimit të Sllobodan Millosheviqit.Osmani thotë se mohimi i fakteve të luftës dhe rehabilitimi i kriminelëvë të luftës është përsëritje e krimit.

“Përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”, thuhet në reagim.

Tutje presidentja Osmani thotë se ajo çfarë ka ndodhur në Reçak është më e fuqishme se çdo propagandë e Vulinit dhe e atyre që mendojnë njejtë si ai.

Presidentja shton se Serbia mund të realizojë filma, por në Reçak ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë.

E para e shtetit thotë se ka qenë pikërisht ngjarjet në Reçak dhe masakrat e tjera, ato që kanë nxitur ndërhyrjen e NATO-së për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal.

“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera,  NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, përfundon reagimi./

 

Shpërndaje në: