Osmani: Serbia s’do ta zbatojë marrëveshjen, duhet të penalizohet nga ndërkombëtarët

Osmani: Serbia s’do ta zbatojë marrëveshjen, duhet të penalizohet nga ndërkombëtarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk pret që Serbia ta zbatojë marrëveshjen e arritur mbrëmë. Ajo tha se Beogradi do të vazhdojë t’i shkelë marrëveshjet, si zakonisht.

Marrëveshja e mbrëmshme, sipas Osmanit dëshmoi se Kosova është “e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe dhe stabilitet”.

“Tani që u dakordua edhe aneksi i marrëveshjes bazë dhe Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet, pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse”, tha Osmani në një deklaratë për media.

“Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet”, shtoi ajo.

Presidentja ka kërkuar ndryshimin e “qasjes akomoduese” të ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, në mënyrë që marrëveshja të zbatohet.

“Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme”, ka thënë ajo.

Shpërndaje në: