Osmanit në takim i shkon ambasadori gjerman, flasin për situatën në veri e vizat

Osmanit në takim i shkon ambasadori gjerman, flasin për situatën në veri e vizat

Sot si duket ishte dita e vizitave të ambasadorëve të huaj te krerët shtetërorë.

Presidentja Vjosa Osmani u takua me ambasadorin gjerman Jorn Rohde, pas ambasadorit amerikan Jeff Hovenier që u takua me kryeministrin Albin Kurti edhe atij britanik Nicholas Abbott që u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Osmani dhe Rohde kanë biseduar për zhvillimet e fundit në veri ku e para e vendit ka theksuar se në raport me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë.

Kosova, sipas Osmanit, është gjithnjë e gatshme që të ndërmarrë hapa të cilët kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit.

Poashtu, ajo ka potencuar se është më rëndësi t’i dërgohen mesazhe të qarta Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar se nuk do të tolerohet retorika e saj nxitëse dhe veprimet e saj të dhunshme nëpërmjet strukturave ilegale në veri të Kosovës.

Në takim u diskutua edhe për kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe punën e vazhdueshme në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe diplomacisë për ta përmbyllur me sukses këtë proces.

U diskutua po ashtu edhe rëndësia e përmbylljes sa më parë të procesit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nikoqir i të cilit do të jetë presidentja Osmani në muajin tetor të këtij viti në Prishtinë.

Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, ka zhvilluar takim të rregullt javor tek kryeministri Albin Kurti, ndërkaq ambasadori britanik pati takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Shpërndaje në: