Pa e ditur gjuhën

Pa e ditur gjuhën

Ilir Baçi pyeste kolegët, në Facebook, nëse është profesionalisht e lejueshme dhe deri në ç’masë që të përkthesh nga një gjuhë që nuk e njeh mirë.

Më erdhi menjëherë në mendje vëllimi Cathay, një përkthim i mirënjohur i 19 poezive të lashta kineze, të periudhës nga shek. 11 p.e.s. në shekullin 4 e.s., nga poeti modernist amerikan Ezra Pound.

Sikurse dihet, Pound-i u mbështet, për këtë përkthim nga një gjuhë për të aso kohe të panjohur si kinezishtja, në shënimet e orientalistit amerikan Ernest Fenollosa.

Fenollosa, nga ana e vet, nuk e zotëronte kinezishten mirë dhe ish ndihmuar prej mësuesit të tij japonez.

Filologët dhe tekstologët kanë gjetur një numër gabimesh në përkthimin e Pound-it, disa prej të cilave të trashëguara nga Fenollosa.

Disa prej tyre madje kanë vënë në dukje se edhe Pound-i, edhe Fenollosa, e patën kuptuar krejtësisht gabim natyrën e sistemit shkrimor të kinezishtes, madje deri atje sa Pound-i të besonte se ideografia kineze ishte aq e tejdukshme piktografikisht (në krahasim me shkrimin “alfabetik”) sa shenjat të mund të deshifroheshin pa e ditur fare gjuhën – çfarë do t’i bënte të krahasueshme me emotikonat e sotme ose shenjat ideografike në aeroporte dhe në metro.

Dijetari dhe sinologu belg Simon Leys vëren se, sidoqë Pound-i kish një ide të gabuar për kinezishten, gabimi i tij rezultoi tejet stimulues dhe pjellor, sepse bazohej në një intuicion të rëndësishëm dhe të saktë: ai pat vënë re se një poemë në kinezishte nuk artikulohet në mënyrë diskursive të vijueshme, por konsiston në pranëvënien e një serie imazhesh diskrete (si të ishte film).

Në çdo rast, orvatja e Pound-it pati sukses, aq sa e bëri T.S. Eliot të shkruajë, në një ese të vitit 1928, se “Mund të thuhet se poezia kineze, siç e njohim sot, është diçka e shpikur nga Ezra Pound-i.”

Kritikët kanë vënë në dukje, më se një herë, se poezitë e përkthyera prej Pound-it tingëllojnë shumë më fluide se ato të përkthyesve kompetentë, që e njohin poezinë kineze në majë të gishtave.

Kjo ngaqë Pound-i vetë ishte poet dhe kish një ndjeshmëri të shkëlqyer për gjuhën e vet, anglishten.

Kritiku letrar amerikan Steven Yao ka shkruar se Pound-i e pat përdorur njohjen e vet të pakët të kinezishtes si një lloj licence, që i jepte dorë për t’i interpretuar shenjat e asaj gjuhe siç dëshironte.

Ndërsa një tjetër krahasues i cilësuar, Wai-lim Yip, këtë herë kinez mirëfilli, ka vërejtur se në “përkthimet” e veta, Pound-i ka arritur ta përcjellë frymën e origjinalit, pavarësisht nga gabimet e shumta në detajet.

Vështirë që rruga e ndjekur nga modernisti amerikan mund t’u rekomandohet lirisht përkthyesve profesionistë – por ndoshta rikrijimi është mënyra më besnike për të përkthyer të papërkthyeshmen.

Këtu duhet kujtuar një thënie e Robert Frost-it: poezia është ajo çfarë humbet gjatë përkthimit.

Aq më e vërtetë tingëllon kjo për kultura të largëta mes tyre, si ajo kineze përballë asaj europiane; të cilat shpesh janë të pabashkëmatshme, dhe jo vetëm në metrikë dhe në ritëm.

Prandaj dilema mund të formulohet kështu: çfarë do të preferojmë nga një përkthim i këtij lloji – efektin letrar (artistik) optimal, apo besnikërinë? Duke pranuar se të dyja këto është praktikisht e pamundur të arrihen njëherësh, zgjedhja do të varet nga çfarë qëllimi i kemi vënë përkthimit: filologjik, apo estetik?

Marrë nga peizazhe.com

Shpërndaje në: