Pacolli: Qeveria e Isa Mustafës po e shkatërron ambientin

Pacolli: Qeveria e Isa Mustafës po e shkatërron ambientin

Kreu i Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka vazhduar të kritikojë qeverinë e Kosovës për neglizhencën e saj, duke e akuzuar se “po e shkatërron ambientin e Kosovës”.

Ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se qeverisja aktuale është duke punuar vetëm për rehatimin e sponsorëve, familjarëve e klaneve të tyre, në mënyrë parazitë e në kurriz të qytetarëve.

“Jo rastësisht që disa muaj jam duke thënë se kjo qeveri është neglizhente dhe me këtë neglizhencë po shkatërrohet ambienti i Kosovës”, ka thënë Pacolli.

“Kam frigë se natyra do të na hakmerret. Shkatërrohen male, (nuk ka maje mali që nuk është shkatërruar nga gurthyeset), shkatërrohen lumenjtë e shkatërrohen rrugët, vdesin njerëz nëpër humnerat e eksploatuesve të egër e shkatërrohet çdo gjë, shkatërrohet ekonomia e vendit”, ka shtuar ai.

Pacolli duke postuar edhe disa fotografi në statusin e tij ka thënë se Qeveria po e shkatërron vendin dhe askush nuk po përpiqet ta ndalojë këtë shkatërrim.

Shpërndaje në: