Padia e Ramës ndaj Haradinajt: Flasin ekspertët

Padia e Ramës ndaj Haradinajt: Flasin ekspertët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ushtruar padi ndaj homologut të tij shqiptar nga Kosova, Ramush Haradinajt me pretendimet se ky i fundit ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit të Shqipërisë, lidhur me temën e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi. E kjo është diçka që po ndodhë për herë të parë në mes të dy kryeministrave shqiptar. Ndërsa, në Kosovë po konsiderohet si praktikë jo e mirë në diplomaci.

Njohësit e rrethanave politike në vend po konsiderojnë se kryeministrat shqiptar, në Kosovë e Shqipëri, do të duhej të bashkëpunonin për një padi ndaj Serbisë, e cila mohon krimet e kryera në Kosovë, e jo të merren me padi ndaj njëri-tjetrit për tema që në mes e kanë Serbinë.

Përmes një padie 30 faqëshe, kryeministri i Shqipërisë kërkon kompensim të dëmit për siç pretendon Rama, shpifjet që Haradinaj i ka bërë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.

Në padi janë cekur disa emisione në të cilat kryeministri i Kosovës ka marrë pjesë, në Kosovë dhe Shqipëri, dhe ka folur për çështjen e korrigjimit të kufijve, ku ka akuzuar Ramën që së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në padi thuhet se deklaratat shpifëse shkak padie kanë pasur për kontekst përgatitjet për procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e që në parim, siç thuhet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë për KosovaPress, se padia është mjaft voluminoze.

“Kemi për herë të parë një rast kur një kryeministër i një shteti tjetër e akuzon apo paditë për shpifje një kryeministër të një shteti tjetër në këtë rast i Shqipërisë të Kosovës, e kur kësaj i shtohet fakti që kryeministri Haradinaj, në këtë rast kryeministri i Republikës së Kosovës, në bazë të Kushtetutës është personi kyç që udhëheq me politikën e jashtme, atëherë mund të themi që kemi një konflikt në mes të dy personaliteteve, në njërën anë Edi Ramës i cili konsideron që është cenuar integriteti i tij personal në anën tjetër i kryeministrit Haradinaj, i cili ka konsideruar se me deklaratat e Edi Ramës ka mundur të cenohet integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim padyshim që kryeministri Haradinaj e ka për obligim që në bazë të Kushtetutës që në çdo rast kur mendon se është duke u cenuar integriteti territorial i Kosovës të ndërmarrë veprime e këtu hyjnë edhe deklaratat politike që konsiderohet se i ka bërë ndaj kryeministrit Edi Rama”, thotë Miftaraj.

Ndërkohë, ligji në Kosovë e lejon parashtrimin e padisë ndaj shpifjes apo fyerjes në çdo rast kur një qytetar i Kosovës, apo i huaj, konsideron se me deklarata ndaj personalitetit të tij është ndjerë i fyer.

Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Çohu”, njohës i rrethanave politike në vend, sheh diçka personale në krejt këtë çështje.

Sipas tij, Edi Rama nuk ka gëzuar imazh të mirë në Kosovë derisa e ka bërë deklaratën në Beograd, ku kishte kërkuar njohje të pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, Demhasaj konsideron se pas polemikave që kishin Rama e Haradinaj lidhur me çështjen e korrigjimit të kufijve që u përhap si temë në verën e vitit 2018, imazhi i Ramës ka filluar të përkeqësohej.

“Padinë e zotit Rama ndaj zotit Haradinaj më tepër po e shoh si tendencë që zoti Rama me mbajt atë imazhin pak më të mirë, ose me ndreq imazhin, se sa që është një padi që përnjëmend zoti Rama pretendon që mund ta fitojë një rast të tillë”, thotë ai.

Padia e Ramës ka arritur dje në Gjykatë Themelore në Prishtinë, dhe ka rastisur me ditën e përkujtimit të masakrës së Reçakut, të cilën javë më parë e kishte mohuar presidenti i Serbisë.

Demhasaj thotë se do të duhej që kryeministrat shqiptar, në Kosovë dhe Shqipëri, të merreshin me hartimin e padisë ndaj Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë dhe e mohon atë, dhe jo të bëjnë padi ndaj njëri-tjetrit.

“Në vend që kryeministri i Shqipërisë dhe kryeministri i Kosovës, të dy vendet thjeshtë të merren si me paditë Serbinë për krimet që i ka kryer në Kosovë dhe si me fituar betejën e shqiptarëve në këtë rast edhe Shqipërisë, edhe Kosovës, karshi Serbisë, këta merren në mes vete, me të vërtetë është një lloj tragjedie”, thotë Demhasaj.

Në bazë të ligjit për shpifje dhe fyerje në Kosovë, barra e provës për të dëshmuar ekziston tek paditësi, ku në këtë rast Edi Rama obligohet që të dërgojë prova në gjykatë të cilat do të dëshmonin se Haradinaj ka shpifur ose jo në drejtim të Ramës.

Këtë e sqaron edhe avokati Arianit Koci.

“Sipas nenit 6 të ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes, kur objekt i kërkesë-padisë është çështje e interesit publik, barrën e provës e ka paditësi. Paradoksalisht, zoti Rama tani e ka barrën e provës që të vërtetojë që nuk është tradhtar. Sipas jurispodencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pohimet e një politikani në raport me politikanin tjetër merren shumë pak për bazë, dhe politikanët shumë pak kanë përgjegjësi sipas kësaj jurispodence”, thotë Koci.

Ndërsa sipas njohësit të aktualitetit në vend, Bekim Kabashi, kryeministri i Shqipërisë nuk është dashur të sillet si një person i thjesht privat, ndërkohë që padinë e tij e konsideron absurde.

“Kryeministri shqiptar në këtë rast duket se nuk është koshient fare për atë se çfarë e përfaqëson, ai nuk është person privat dhe nuk duhet të sillet si i tillë. Është absurde që një kryeministër i Shqipërisë të bëjë padi ndaj kryeministrit shqiptar të Kosovës për deklaratat që kanë të bëjnë me raportet Kosovë-Serbi kur dihet çfarë raporte kanë këto dy vende dhe çfarë kontestime vazhdojnë të kenë ku edhe kryeministri Rama vet ka qenë i përfshirë në to. Është praktikë jo e zakonshme diplomatike, nuk është veprim fare diplomatik që një kryeministër të paditë një kryeministër të rajonit, aq më tepër një kryeministër të një shteti vëlla”, thotë ai.

Përballja e Ramës dhe Haradinajt në gjykatë nuk pritet të ndodhë edhe tre vjet.

Në bazë të rregullave të miratuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, lënda do t’i ndahet një gjyqtari brenda një muaji dhe e njëjta do të trajtohej në vitin 2023 ose 2024, nëse lënda nuk merret me prioritet.

“Kjo lëndë do të vijë në punë për t’u trajtuar nga gjyqtari diku në vitin 2023-2024, nëse merret për bazë që kjo lëndë nuk trajtohet me prioritet, nuk do të merret për bazë që në këtë rast kemi të përfshirë dy figura të larta politike, të dy shteteve të ndryshme. Nëse kjo lëndë trajtohet njëjtë si për gjithë qytetarët e Kosovës, atëherë kjo lëndë do të merret në punë diku në vitin 2023-2024, që do të thotë se do të presim edhe tre apo katër vite për t’i parë për herë të parë dy kryeministrat duke u përballur në gjykatë”, thotë Ehat Miftaraj nga IKD.

Në tetor të vitit të kaluar Rama kishte paralajmëruar se do të padisë Haradinajn për shpifje.

Atë kohë Haradinaj, në paraqitje televizive kishte thënë se e kishte bllokuar planin për shkëmbim territoresh.

Pas lajmit që dje është ushtruar padi ndaj tij, Haradinaj ka shkruar se sipas ligjit do të përgatis përgjigje në padi.

“Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgadis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, ka shkruar në facebook Haradinaj./

 

Shpërndaje në: