Pak para ardhjes së Lajçakut në Kosovë, AAK kritkon ashpër qasjen e BE-së ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave

Periskopi.com Lajme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur konferencë për media para objektit të Qeverisë për të diskutuar çështjen e mosliberalizimit të vizave.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar qasjen e BE-së karshi Kosovës por edhe mosreagimin e Qeverisë për këtë çështje, përcjell Periskopi.

“Si Grup Parlamentar kemi vendosur me iu adresu për një çështje, një padrejtësi që po iu bëhet Kosovës dhe zyrtarëve të saj, dhe ajo lidhet drejtpërdrejt me liberalizimin e vizave. Në samitin e Ballkanit Perëndimor, për Kosovën ndodhi ajo e zakonshmja, pra thirrja për dialog.”

“AAK e sheh me shqetësim qasjen injoruese të BE-së ndaj Kosovës, dhe trajtimin jo serioz të kërkesës sonë të drejtë për lëvzje të lirë dhe liberalizim të vizave”.

“Ajo që dimë është se kushtet e parapara nga KE, janë përmbushur tani e shumë vite më parë, ka pasur një votim pro liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian. Tani, si GP i shtrojmë dy pyetje për anëtarët e BE-së; A është kjo një politikë sanksionuese që po i bëhet Kosovës apo Kosova është peng i politikës së brendshme të anëtarëve të Unionit Evropian”.

“Në anën tjetër shohim një mosreagim të Qeverisë së Kosovës karshi kësaj teme. Pra,mungesa e qasjes së Qeverisë në raport me injorimin që i bëhet kësaj teme është e habitshme. Për sa ishin në opozitë gjithmonë kritikojshin, sulmojshin në raport me këtë temë. Ndërsa, tani që janë Qeveri nuk pati asnjë reagim. Në anën tjetër shihet që lobimi rus përmes Beogradit, po ka ndikim të drejtpërdrejt në vendimmarrjen e Unionit Evropian”, tha Tahiri.

AAK ka bërë të ditur se do të iniciojnë debat parlamentar për çështjen e liberalizimit të vizave, në mënyrë që të adresojmë këtë çështje në nivel të lartë./Periskopi/