Pakënaqësi në LDK – Mustafa shkeli statutin e partisë që bëri koalicion me Pacollin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka shpërfillur Këshillin e Përgjithshëm të partisë me rastin e nënshkrimit të koalicionit me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit.
Zyrtarë të lartë të LDK-së kanë bërë të ditur për AktivPress se pakënaqësitë në lidhje me këtë veprim të Mustafës do të shpërfaqen publikisht në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm i cili pritet të mbahet brenda dy ditësh.
“Me statutin e partisë, koalicionet bëhen me pëlqimin e Këshillit. Mustafa nuk e ka mbledhur këtë Këshill për ta marr miratimin prej tij, por ka zgjedhur që këtë vendim ta marr bashkë me rrethin e ngushtë të tij”, ka thënë njëri prej të pakënaqurëve me këtë vendim.
Në statutin e LDK-së definohet qartë se Këshillli i Përgjithshëm, “vendos për koalicionet para dhe pas zgjedhore në nivel qendror”.
I njëjti anëtar ka thënë se qëndrimin kundër një koalicioni të tillë dhe kundër shkeljes që i është bërë statutit të partisë, do ta shpreh publikisht në mbledhje.
Ai ka thënë se Mustafa nuk i ka konsultuar as ata që njihen si eksponentë të rëndësishëm në LDK, por që në rrethana të caktuara kanë dalur kundër veprimeve të tij.




