Pamje nga ceremonia e pensionimit të Gjeneralit amerikan Orr, i cili i ndihmoi shumë Kosovës

Pamje nga ceremonia e pensionimit të Gjeneralit amerikan Orr, i cili i ndihmoi shumë Kosovës

Atasheu ushtarak i Kosovës në SHBA, Kolonel Ilir Qeriqi ka marrë pjesë në ceremoninë e pensionimit të gjeneralmajorit, Timothy Orr – raporton Periskopi.

Qeriqi, i cili ka shpërndarë disa fotografi nga kjo ceremoni në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se ishte nder pjesëmarrja në këtë ceremoni.

Tutje, Qeriqi ka falënderuar Gjeneralin Orr, i cili ka bërë shumë për Kosovën gjatë kohës sa ka shërbyer si Komandant i Përgjithshëm i Gradës Nacionale të IOWA’s.

“Ishte ndere qe isha pjese e ceremonise se pensionimit te Gjeneralmajorit Timothy Orr si komandant i pergjithshem i Gardes Nacionale të IOWA, ju faleminderit Gjeneral Orr per te gjitha qe keni bere per vendin tim”, ka shkruar Qeriqi, publikimin e të cilit e ka shpërndarë edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

Kujtojmë se vizita e fundit e gjeneralmajorit Timothy E. Orr në Kosovë ishte në fillim të muajit maj, të këtij viti – pra, para disa javëve.

Ai pati takime përshëndetëse me të gjithë liderët e Kosovës – presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli e kryeministri Ramush Haradinaj.

Në fjalimin e tij të fundit ai ka thënë se Kosova është shtëpia e tij e dytë, dhe se ushtarët e FSK’së janë vëllezër të tij.

“Kjo është shtëpia e ime. Shpesh u them njerëzve se Kosova është shtëpia ime e dytë. Dhe jam i lumtur të vijë sa herë që kam mundësi. Kjo është hera e fundit e imja në Kosovë me uniformë, por gjithsesi do të vijë prapë, pasi jam i lumtur për këtë bashkëpunim”, ka thënë ai.

Kush është gjenerali Timothy Orr dhe cila është rëndësia e bashkëpunimit mes FSK’së dhe Gardës Kombëtare të Ioëas?

Ka qenë viti 2012, kur ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christofer Dell, kishin nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila njihej si ‘SOFA’. Marrëveshja e nënshkruar më 18 shkurt 2012, ashtu siç njoftohej atëkohë, përkufizonte ‘statusin ligjor të personelit ushtarak të SHBA’së dhe shtetasve amerikanë që punojnë në Kosovë, në programet në mbështetje të sigurisë së përbashkët. Marrëveshja do të përfshinte në veçanti, Gardën Kombëtare të Iowas në Programin e partneritetit shtetëror më FSK’në. Marrëveshja SHBA – Kosovë, do të cilësohej si një marrëveshje që demonstronte fuqinë e partneritetit mes Amerikës dhe Kosovës, shkruan Periskopi.

Përpara se të nënshkruhej kjo marrëveshje, në Kosovë kishin ndodhur vizita të vazhdueshme të figurave të larta ushtarake të Gardës Kombëtare të Iowas. Një vit para kësaj marrëveshje, Kosovën e kishte vizituar gjenerali Timothy Orr. Gjenerali Orr, atëkohë do të pritej nga ministri i FSK-së, Agim Çeku, komandanti i atëhershëm i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, si dhe komandanti i Komandës së Forcës Tokësore, gjeneralmajor Rrahman Rama. Për nder të kësaj vizite, ishte rreshtuar edhe togu i nderit i FSK’së.

Që prej asaj kohe, gjenerali amerikan Orr, ka vizituar Kosovën dhjetëra herë. Po ta shkruani në Google ‘Gjenerali Orr viziton Kosovën’ do të gjeni një numër të konsiderueshëm lajmesh që njoftonin për vizitën e tij. Me pothuajse çdo delegacion ushtarak amerikan që ka ardhur në Kosovë, nuk ka munguar asnjëherë edhe gjenerali Orr. E njëjta vlente edhe për delegacionet tona që vizitonin Amerikën. Kushdo që shkonte në Iowa, pritej nga gjenerali Orr.

Kujtojmë vetëm vizitën e fundit të kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili pak ditë para transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ishte në fokus të mediave për shkak se kishte shkuar ‘të provonte’ mjetet ushtarake që Amerika (Iowa) do t’ia jepte FSK’së. Aty, Veseli kishte marrë mbështetjen e Gardës së Iowas për FSK, e në veçanti edhe atë të gjeneralit Timothy Orr.

Gjenerali amerikan, Timothy Orr, edhe në fjalimin e tij të fundit para Asamblesë së Përgjithshme të Iowas, e përmendi me theks të veçantë Kosovën – partneritetin mes Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan Periskopi.

Në fjalimin e tij të mbajtur më 17 janar 2019, gjenerali Orr thotë:

“Prioriteti ynë i tretë mbetet të ndërtojmë partneritet në nivelin lokal, shtetëror, federal dhe në atë ndërkombëtar. Një nga bashkëpunimet tona më të rëndësishme është ai përmes Programit të Bashkëpunimit Shtetëror me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Republikën e Kosovës’.

Më tutje, një pjesë të gjatë të fjalimit, gjenerali Orr, ia kushton bashkëpunimit të Kosovës dhe Iowas.

Në një intervistë që kishte dhënë ai gjatë kohës sa po qëndronte në Kosovë, nuk kishte treguar se çfarë ka planifikuar pas daljes në pension, derisa nuk ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes në politikë./PERISKOPI

Shpërndaje në: