Pandemia e Koronavirusit është një portal për në Botën Tjetër

Pandemia e Koronavirusit është një portal për në Botën Tjetër

Kush mund të thotë tash për diçka në internet se “u bë virale” pa iu ngjethur lëkura pak? Kush mund t’i këqyr sendet e ndryshme – dorezën e derës, perimet, çkado qoftë – pa imagjinuar aty mizërinë e këtyre virusëve që presin të na futen në mushkëritë tona?

Kush mund të mendojë që të puthet me një të panjohur, të futet në autobus apo t’i dërgojë fëmijët në shkollë pa ndjenjën e frikës? Kush mund të mendojë për një kënaqësi të rëndomtë pa ndjerë rrezik? Cili prej nesh nuk është bërë sot një epidemolog, virolog, statistikan dhe profet? Cili shkencëtar apo doktor nuk po lutet fshehtas për një mrekulli? Cili prift nuk është – të paktën fshehtas – duke u lutur për shkencën?

Dhe madje edhe ndërsa virusi shumohet, kush nuk mund të mahnitet nga kënga e zogjve në qytete, numri i paktë i këmbësorëve nëpër zebra kalimi dhe nga heshtja në qiell?

Numri i rasteve këtë javë kaloi në mbi 1 milion të prekur. Më shumë se 50 mijë nga këta kanë vdekur tashmë. Projeksionet thonë që numri do të shkojë në qindra mijëra, e ndoshta edhe do ta prek milionëshin. Virusi ka lëvrirë shpejt e lirshëëm përgjatë rrugëve të tregtisë, dhe sëmundja e rëndë i ka ngujuar njerëzit në vendet e tyre, qytetet e tyre dhe shtëpitë e tyre.

Por për dallim nga qarkullimi i kapitalit ndërkombëtar, ky virus kërkon shumimin, jo profitin, dhe pa dashje deri në një shkallë ka përmbysur drejtimin e qarkullimit të atij kapitali. Përqeshi kontrollet e emigrantëve, biometrikat, mbikëqyrjen digjitale dhe çdo lloj tjetër të analizës së të dhënave, dhe deri më tash ka goditur kombet më të pasura e më të fuqishme të botës.

Kjo ndoshta vetëm përkohësisht, por të paktën për mjaftueshëm kohë sa të ekzaminojmë pjesët e tij, të bëjmë vlerësime mbi të dhe të vendosim nëse duam ta ndreqim apo të kërkojmë për një motor më të mirë për të (kapitalin).

Udhëheqësit që po menaxhojnë këtë pandemi duan të flasin për luftën. Ata madje as nuk e përmendin luftën si metaforë por e përmendin bukfalisht. Por nëse përnjëmend ishte luftë, atëherë kush do të ishte shtet më i përgatitur se Amerika? Nëse nuk do të vyenin në front të betejës maskat e dorëzat, por armët, bombat, nëndetëset, armëz nukleare, a do të kishte kësi reagimi?

Natë pas nate, gjysmë bote larg, disa prej nesh shikojnë konferencat për shtyp të guvernatorit të New Yorkut me një fascinim që zor shpjegohet. Ne ndjekim statistikat dhe dëgjojmë storjet e spitaleve të tejmbushura në ShBA, të infermierëve të papaguara e që punojnë përtej orarit për të bërë maska nga bërlloku. Për shtetet amerikane që shtyhen me njëra-tjetrën për ventilatorët, për dilemat e mjekëve se cilin pacient ta trajtojnë e cilin ta lënë të vdes. Dhe mendojmë vetmevete, “Zot! Kjo qenka Amerika!”

Tragjedia është e menjëhershme, reale, epike dhe po shpaloset para syve tanë. Por nuk është as e re. Është gërmadha e një treni që po anohej jashtë shinave për vite të tëra. Kush nuk i mban mend videot e “dampingut të pacientëve” – të sëmurëve, ende me rroba spitali, bythëcullakë, që liheshin nëpër qoshe rrugësh? Dyert e spitaleve që shpesh mbylleshin për varfanjakët e ShBA-ve. Nuk ka pasur rëndësi se sa të sëmurë ishin, e se sa dhimbje kishin.

Të paktën jo deri tash – sepse tash, në epokën e virusit, sëmundja e një varfanjaku mund ta afektojë shëndetin e shoqërisë së pasur. E megjithatë, edhe tash, Bernie Sanders, senatori që ngulmueshëm ka kërkuar kujdes shëndetësor për të gjithë, konsiderohet një kandidat margjinal në garën për t’u bërë president, edhe nga partia e tij.

Dhe çka për vendin tim, vendin tim varfanjako-pasanik, Indinë, i mbetur diku mes feudalizmit dhe fundamentalizmit religjioz, kastave dhe kapitalizmit, e udhëhequr nga një nacionalist hindu i së djathtës ekstreme?

Në muajin dhjetor, ndërsa Kina po e luftonte shpërthimin e virusit në Wuhan, qeveria e Indisë po përballej me kryengritjen e qindra mijëra qytetarëve të saj që po protestonin kundër një ligji diskriminues anti-islam që sapo kishte kaluar në parlament.

Rasti i parë me Covid-19 u konfirmua në Indi më  30 janar, vetëm disa ditë pasi pritëm pyll-ngrënësin e Amazonës dhe koronavirus-mohuesin, Jair Bolsonaron. Por kishte shumë për të bërë në muajin shkurt që virusi të akomodohej në listën e prioriteteve të partisë sunduese. Ishte më pas vizita zyrtare e presidentit Donald Trump e planifikuar për javën e fundit të shkurtt. Ai u përshëndet me një audiencë prej 1 milion vetësh në një stadium sporti në shtetin e Gujaratit. Krejt kjo mori shumë para, dhe shumë e shumë kohë për t’u organizuar.

Më pas kishim zgjedhjet e Asamblesë së Delhit ku Partia Bharatiya Janata pritej të humbte nëse nuk përdorte po ashtu në mënyrë bizare një fushatë nacionaliste hindu, të mbushur me kërcënime për dhunë fizike dhe me britma për “tradhtarë”.

E megjithatë humbi. Më pas kishim caktimin e ndëshkimit për myslimanët e Delhit, që ishin fajësuar për turpërimin. Aktivistët gangsterë të armatosur hindu, të mbështetur nga policia, sulmuan myslimanët në lagjet e klasës punëtore në veri-lindje të Delhit. Shtëpi, dyqane, xhami dhe shkolla u dogjën. Myslimanët që ishin përgatitur për sulmin kundërsulmuan. Më shumë se 50 njerëz, shumica myslimanë dhe disa hindu, u vranë.

Mijëra vetë ikën nëpër kampe refugjatësh nëpër varreza lokale. Trupat e gjymtuar ende nuk kishin kulluar gjakun kur zyrtarët qeveritarë kishin mbajtur takimin e parë për Covid-19shin dhe shumica e indianëve dëgjuan për diçka që quhej shampon duarsh.

Marsi ishte muaj i ngjeshur, po ashtu. Dy javët e para shkuan në përpjekjen për përmbysjen e qeverisë në shtetin qendror indian të Madhya Pradeshit dhe instalimin e një qeverie nga partia sunduese në vend të saj. Më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) shpalli që Covid-19shi ishte pandemi. Dy ditë më vonë, më 13 mars, ministri i shëndetësisë tha që koronavirusi “nuk përbënte emergjencë shëndetësore”.

Së fundi, më 19 mars, kryeministri indian iu adresua kombit. U duk se nuk kishte punuar fort për koronavirusin. Ai mori skenarin nga Franca dhe Italia. Na tha neve për nevojën e “distancimit social” (e lehtë për t’u kuptuar në një shoqëri që praktikon ndarjen kastore) dhe bëri thirrje për ditën e “mbylljes së popullit” më 22 mars. Ai nuk tha asgjë për atë se çka qeveria e tij do të bënte për krizën, por kërkoi nga populli që të dilte nëpër ballkonë, e t’iu mëshonin tenxhereve e fërtereve të tyre për të përshëndetur punëtorët shëndetësorë.

Ai nuk përmendi që, deri në atë moment, India kishte qenë duke eksportuar pajisje mbrojtëse dhe tuba të respiratorëve, në vend se t’i mbante ato për punëtorët shëndetësorë indianë dhe për spitalet tona.

Jo befasisht, kërkesa e Narendra Modit u mor me shumë entuziazëm. Kishte marshe që iu mëshonin tenxhereve, vallëzime në komunitet dhe procesione. Jo aq distancim social. Në ditët që pasuan, burrat kërcyen në fuqitë e bajgave të shenjta të lopëve, dhe mbështetësit e partisë në pushtet bënë festa duke pirë urinë lope. Për të mos mbetur prapa, shumë organizata myslimane deklaruan që I Plotfuqishmi ishte përgjigjja kundër virusit dhe bënë thirrje për tubime masive nëpër xhami.

24 mars, ora 8 e mbrëmjes, Modi paraqitet sërish në TV për të njoftuar që, nga mesnata e tutje, e gjithë India do të jetë në karantinë. Dyqanet do të mbyllen. I gjithë transporti, publik e privat, do të anulohet.

Ai tha se nuk po e merrte këtë vendim vetëm si kryeministër, por edhe si kryeplaku i familjes tonë. Kush tjetër mund të vendos, pa konsultimin e qeverive shtetërore që do të duhej ta zbatonin këtë vendim, se një komb prej 1.38 miliard banorësh do të karantinohej me zero parapërgatitje dhe me një njoftim vetëm katër orësh? Metodat e tij definitivisht japin përshtypjen se kryeministri indian mendon për qytetarët si një forcë armiqësore që duhet të zihet në pritë, fare befasisht, dhe të mos besohet.

Në karantinë ishim. Shumë profesionistë shëndetësorë dhe epidemologë e kanë duartrokitur këtë lëvizje. Ndoshta ata kishin të drejtë në teori. Por sigurisht se asnjëri nuk mund ta mbështes mungesën katastrofike të planifikimit e përgatitshmërisë që ktheu karantinën më të madhe e më ndëshkuese në botë në të kundërtën ekzakte të asaj që po kërkohej të arrihej.

Burri që dashuron spektaklet kishte krijuar nënën e të gjitha spektakleve.

Derisa bota e mahnitur po shihte, India zbuloi veten në krejt turpin e saj – pabarazinë brutale, strukturore, sociale dhe ekonomike, indiferenca e saj e pashpirt ndaj vuajtjes.

Karantina funksionoi si një eksperiment kimik që papritmas iu jep dritë gjërave të fshehta. Derisa dyqanet, restorantet, fabrikat dhe indsutria e ndërtimit u ndal e u mbyll, derisa të pasurit dhe klasa e mesme po mbyllej në shtëpitë dhe mëhallat e tyre, qytetet tona të vogla e të mëdha filluan të shtrydhin qytetarët e klasës punëtore – punëtorët e tyre emigrantë – si akruale të përbuzshme e të padashura.

Shumë prej tyre të larguar nga puna prej shefave dhe punëdhënësve, miliona të varfëruar, të uritur, të etur, të rinj e të vjetër, gra, bura, fëmijë, njerëz të sëmurë, të verbër, njerëz me paaftësi, pa ndonjë vend për të shkuar, pa transport publik në dukje, filluan një ecje të gjatë drejt drejt fshatrave të tyre. Ecën me ditë të tëra, drejt Badaunit, Agras, Azamgarhut, Aligarhut, Luchnowit, Gorakhpurit – me qindra kilometra larg. Disa vdiqën rrugës.

Ata e dinin se po shkonin në shtëpi që potencialisht të ngadalësonin vdekjen nga uria. Ndoshta ata e dinin se mund ta kishin virusin me vete, dhe mund të infektonin familjet e tyre, prindërit dhe gjyshërit në shtëpi, por dëshpërimisht iu duhej një trohë familje, strehim e dinjitet, ashtu si ushqimi, nëse jo edhe dashuria.

Derisa ecnin, shumë prej tyre ishin rrahur dhe poshtëruar brutalisht nga policia, që kishte marrë detyrën që në mënyrë strikte të zbatonte karantinimin. Të rinjtë ishin detyruar që të përkuleshin dhe të kërcenin si bretkosa në austradë. Jashtë qytetit të Bareillyt, një grup ishte lidhur bashkë dhe i ishte derdhur përmbi një farë spreji kimik.

Pak ditë më vonë, të brengosur se popullata që po largohej mund ta shpërndante virusin nëpër fshatra, qeveria mbylli kufijtë edhe për këta ecës. Njerëzit që kishin qenë duke ecur për ditë me radhë u ndaluan dhe u detyruan të ktheheshin në kampe qytetesh nga ku më parë ishin përzënë.

Mes pleqsh u ndoll kujtimi i transferimit të popullsive të vitit 1947, kur India ishte ndarë dhe Pakistani kishte lindur. Dallimi ishte se ky eksod po nxitej nga ndarja klasore, dhe jo ajo religjioze. E megjithatë, këta nuk janë më varfanjakët e Indisë. Këta ishin njerëz që kishin (të paktën deri tash) punë në qytet dhe shtëpi se ku të ktheheshin. Të papunët, të pastrehët dhe dëshpëtimtarët mbetën ku ishin, në qytete e nëpër fshatra, ku fatkeqësia e thellë po rritej shumë përpara se të ndodhte kjo tragjedi. Dhe përgjatë këtyre ditëve të tmerrshme, ministri i punëve sociale Amit Shah nuk u duk fare në publik.

Kur ecja nisi në Delhi, shfrytëzova lejekalimin për gazetarë dhe shkova për në Ghazipur, në kufi mes Delhit dhe Uttar Pradeshit.

Skena ishte biblike. Ose ndoshta jo. Bibla nuk mund të ketë njohur numra të tillë si këta. Karantina për të mbajtur distancën fizike kishte rezultuar në të kundërtën e saj – kompresim fizik në një shkallë të pamendueshme. Kjo është e vërteta madje edhe brenda lagjeve e qyteteve indiane. Rrugët kryesore mund të jenë boshatisur, por varfanjakët janë mbyllur në banesa të dendura me njerëz të barakave e mëhallave mjerane.

Secili prej njerëzve të varfër me të cilët fola ishte i brengosur për virusin. Por ishte një brengë më pak reale, më pak prezente në jetën e tyre se sa papunësia kanosëse, uria dhe dhuna e policisë. Nga të gjithë njerëzit me të cilët fola atë ditë, përfshirë edhe një grup rrobaqepësish myslimanë që vetëm para një jave i kishin mbijetuar sulmeve anti-myslimane, fjalët e njërit më qitën prej terezisë. Ai ishte një karpentier i quajtur Ramjeet, që planifikonte të ecte gjithë rrugën prej Gorakhpurit e deri afër kufirit me Nepalin.

“Ndoshta kur Modi vendosi ta bënte këtë gjë, askush s’i tha asgjë për ne. Ndoshta ai s’e di që ne ekzistojmë,” tha ai.

Me përemrin vetor “NE” përmblidhen afërisht rreth 460 milionë njerëz.

Qeveritë shtetërore në Indi (si në Amerikë) kanë shfaqur më shumë zemër dhe mirëkuptim për krizën. Sindikatat, qytetarët e thjeshtë dhe të tjera grupe kolektive po shpërndajnë ushqime dhe racione emergjente. Qeveria qendrore ka qenë e ngadaltë në kundërpërgjigjjen për apelet dëshpërimtare për fonde. Doli se Fondi Kombëtar i Lehtësimeve i kryeministrit Modi nuk ka para kesh të gatshme.  Dhe në vend të saj, paratë e bamirësve po derdhen në një fondacion disi misterioz të quajtur PM-Cares (Kryeministrit i bën për ju). Ushqimet e para-paketuara me surratin e Modit në to kanë filluar të paraqiten.

Si shtesë ndaj kësaj, kryeministri ka ndarë edhe videot e tij të yogas, në të cilat një version i vizatuar i Modit me një trup muskuloz demonstron yoga asanas për të ndihmuar njerëzit që të përballojnë stresin e vetizolimit.

Narcizizmi është tepër shqetësues. Ndoshta një prej këtyre yogave kryeministri ynë do të kërkojë prej kryeministrit francez që të na lejojë kthejmë mbrapsht disa prej avionëve luftarakë Rafale dhe t’i marrim paratë, 7,8 milard euro, për t’iu dhënë pastaj njerëzve të uritur. Pa mëdyshje, Franca do të na kuptonte.

Ndërsa karantina hyn në javën e saj të dytë, zinxhirët e furnizimit me ushqime janë thyer, ilaçet dhe ushqimet esenciale po pakësohen. Mijëra vozitës kamioni janë ende nëpër autostrada, me pak ushqim e ujë. Drithërat, të gatshme për t’u korrur, shpejt po kalben.

Kriza ekonomike është këtu. Kriza politike është në vazhdim e sipër. Mediat ‘mainstream’ ka inkorporuar raportimet e koronavirusit në fushatën e saj helmuese 24/7 anti-myslimane. Një organizatë myslimane e quajtur “Tablighi Jamaat”, që mbajti një takim në Delhi para se të shpallej karantinimi kombëtar, doli të ishte “super-shpërndarësi” i virusit. Kjo po përdoret për të stigmatizuar dhe demonizuar myslimanët. Toni i përgjithshëm sygjeron se myslimanët e shpikën virusin dhe qëllimshëm e shpërndanë atë si formë të xhihadit.

Kriza e Covidit ende do të vijë. Ose jo. Nuk e dimë. Kur të vijë dhe nëse vjen, ne jemi të sigurt që do të luftohet mirë, me të gjitha paragjykimet prevalente të religjionit, kastës dhe klasës që ekzistojnë.

Sot (2 prill) në Indi, janë rreth 2 mijë raste të konfirmuara me koronavirus dhe 58 të vdekur. Këto janë numra krejtësisht të pabesueshëm, për shkak të numrit tepër të vogël të testimeve. Opioni i ekspertëve ndryshon egërsisht prej njëri-tjetrit. Disa parashikojnë miliona raste. Disa mendojnë se numri do të jetë tepër i vogël. Ne ndoshta kurrë mund të mos i dimë konturet e krizës, edhe kur të na godas neve. Krejt ajo që dimë është se spitalet nuk janë mbipopulluar ende.

Spitalet dhe klinikat publike në Indi – që nuk janë të afta të përballen as me gati 1 milion fëmijë që vdesin nga diarreja, mosushqyerja dhe të tjera çështje shëndetësore përvitshëm, me qindra mijëra pacientë të tuberkulozit (çereku i rasteve në botë), me një popullsi të kequshqyer dhe anemike të lëndueshme keq nga një numër i madh i sëmundjeve të vogla që dalin të jenë fatale për ta – nuk do të jetë e aftë që të përballojë një krizë si Evropa dhe ShBA-ja.

I gjithë sistemi shëndetësor është pakashumë në pritje derisa spitalet po merren vetëm me virusin. Qendra e traumës në Institutin legjendar All India të Shkencave mjekësore është mbyllur, qindra pacientë të njohur si refugjatë kanceri që jetojnë në rrugët jashtë atij spitali të madh u përzunë si kafshë.

Njerëzit do të sëmuren dhe do të vdesin në shtëpitë e tyre. Ne kurrë mund të mos dimë rrëfimet që kishin. Ata madje mund të mos bëhen as statistika. Ne vetëm mund të shpresojmë që studimet që thonë se virusit i pëlqen moti i ftohtë janë të vërteta (megjithëse disa hulumtime kanë hedhur dyshime në këtë gjë). Kurrë njerëzit nuk kanë lënguar më shumë për një verë djegëse e dënuese indiane.

Çka është kjo gjë që na ndodhi neve? Është një virus, po. Brenda vetes nuk ka kurrfarë vlere morale. Por është definitivisht më shumë se virus. Disa besojnë që është mënyra e zotit për të na kthyer mendjen. Disa se është konspiracion kinez për të marrë kontrollin e botës.

Çkado që është, koronavirusi e ka bërë të fortin të gjunjëzohet dhe e ka ndaluar botën si asgjë tjetër më herët. Mendjet tona po kërkojnë me ngulm kthimin në “normalitet”, duke u munduar të lidhin të ardhmen tonë me të kaluarën, dhe duke refuzuar që të njohin çfarëdo çarje në të. Por çarja ekziston. Dhe në mes të këtij dëshpërimi të tmerrshëm, na ofron neve shansën për të rimenduar makinën apokaliptike që kemi krijuar për veten tonë. Asgjë s’mund të jetë më keq se sa rikthimi në normalitet.

Historikisht, pandemitë kanë detyruar njerëzit që të prishen me të kaluarën dhe të imagjinojnë një botë të re. As kjo pandemi nuk është ndryshe. Është një portal, një mundësi daljeje nga kjo botë për në botën tjetër.

Mund të vendosim që ta shpërfillim, duke i tërhequr zvarrë kufomat e paragjykimeve e urrejtjes tonë, avarisë tonë, të dhënave bankare tona dhe ideve të vdekura, lumenjve të vdekur dhe qiejve të tymtë. Ose mund të ecim drejt saj me një valixhe të vogël, të gatshëm për të imagjinuar një botë tjetër. Dhe të gatshëm për të luftuar për të.

Përktheu Periskopi nga Financial Times. Arundhati Roy është shkrimtare e famshme indiane.

Shpërndaje në: