Pandemia u kthye në komedi në Kosovë: 6 momentet tmerruese që duhet t’i dijë secili

Pandemia u kthye në komedi në Kosovë: 6 momentet tmerruese që duhet t’i dijë secili

Pandemia Covid-19 është pa mëdyshje një nga ngjarjet më të rënda dhe tragjike që ka goditur vendin tonë në dy dekadat e fundit, prej luftës. Por, kjo ndodhi ka prodhuar edhe një varg gjërash komike të cilat po i paraqesim me anë të këtij artikulli.

Rastet e para të infektimeve me Covid-19 në Kosovë u raportuan më 13 mars 2020, kur në pushtet ishte kryeministri i tanishëm, Albin Kurti. Në atë kohë, nuk dihej as shkalla e vdekshmërisë, por as mënyrat se si mund të luftohej përhapja e infeksioneve.

“Dy javët e ardhshme janë vendimtare”

“Dy javët e ardhshme janë vendimtare” ishte fraza e përdorur nga kryeministri Kurti, dhe autoritetet e tjera shëndetësore prej mesit të marsit 2020, e deri në qershor apo korrik.

Në fakt, “dy javët e ardhshme nuk ishin vendimtare” dhe kjo tregoi pamundësinë e autoriteteve që të lexonin situatën në mënyrë të saktë.

Në vend se të përgatitej shoqëria për një luftë më të gjatë e më të lodhshme ndaj Covid-19shit, vendi u mbyll tërësisht duke u shkaktuar dëme të mëdha ekonomike – me idenë se virusi do të kalonte për një periudhë të shpejtë.

Natyrisht, kjo nuk ndodhi dhe shikuar në retrospektivë e bën të duket shumë qesharake.

Testohet kryeministri Kurti

Në kohën kur në një qendër mjekësore në Viti ishte ekspozuar nga virusi i gjithë stafi dhe nuk po mund të vaksinohej, kryeministri i atëhershëm Kurti bashkë me gjithë stafin u testuan për koronavirus.

Për fat të mirë, ata dolën negativë.

Por, në atë kohë kishte pasur shumë pak testime. Shumë shumë pak testime. Kjo e bënte mjaft të papërgjegjshme sjelljen e kryeministrit dhe të stafit të tij.

Në atë kohë, ministri Agim Veliu do ta akuzonte Kurtin se “kishte informacione që ishte testuar për koronavirus” gjë që shpreh edhe më shumë rëndesën e situatës me testime, shkruan Periskopi.

Vaksinimi i qytetarit të parë

Pas ardhjes së 24 mijë vaksinave AstraZeneca në Kosovë përmes programit Covax, u organizua një ceremoni madhështore në të cilën folën dhjetëra vetë. Në fakt, ishin vetëm 24 mijë doza të vaksinës, ndërkohë që numri i rasteve dhe i vdekjeve në Kosovë kishte eskaluar.

Më pas do të vaksinohej qytetari i parë me këtë vaksinë. Ai do të ishte Albin Kurti, kryeministri i Kosovës.

Kurti do ta arsyetonte sjelljen e tij duke thënë se kjo vaksinë kishte reputacion “të lëndueshëm” dhe se donte të sensibilizonte qytetarët që të vaksinoheshin.

Por, problemi është se janë vetëm 24 mijë vaksina dhe natyrisht se pjesa më e madhe e popullit tash për tash nuk ka as mundësi që ta mohojë vaksinimin.

Nuk dihet se kur do të vijë kontingjenti i ardhshëm i vaksinave, por ajo që dihet se “për çështje sensibilizimi” është vaksinuar edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. Por, po e përsërisim, janë vetëm 24 mijë vaksina dhe s’ka vend për sensibilizim.

Punëtori i një shkolle i mat temperaturën qytetarëve

Po të kishte matje mbi matjet më të shpejta të temperaturës, një punëtor shkolle në Kosovë do ta zinte vendin e parë.

Në një video të publikuar nga Periskopi, ai shihet derisa me një shpejtësi të rrufeshme mat temperaturën e disa nxënësve të shkollës që po futeshin brenda.

Pas këtij publikimi nga Periskopi, shkolla në fjalë ishte gjobitur me 200 euro.

Tubimet partiake

Megjithëse një person u bë i njohur për mohimin e ekzistencës së virusit, Labinot Tahiri, të gjitha partitë politike në Kosovë u bënë ‘dishepuj’ të tij në kohë e fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Asnjëra parti politike nuk i rezistoi tundimit që t’i mblidhte militantët e simpatizantët e vet, dhe kështu numri i rasteve u rrit në përmasa të frikshme.

Po këto parti, akuzonin njëra-tjetrën pikërisht në lidhje me çështjen e pandemisë, edhe pse nuk ia dolën mbanë të respektonin rekomandimet bazë të IKShPK-së duke dhënë shembull të mirë te qytetarët

Rrini në shtëpi

E derisa Instituti vazhdon të thotë “Mos dilni nga shtëpia, përveç nevojave esenciale” duket se nevojë esenciale është bërë edhe takimi për një kafe. Kafenetë vazhdojnë të jenë të mbushura, derisa dje u pa edhe kryeministri Albin Kurti që nën shoqërimin e znj. Vjosa Osmani, po bënin piknik në Parkun e Gërmisë.

Por, Instituti vazhdon për çdo ditë të lume të përsëris thirrjen për qëndrim në shtëpi. E duket se kjo thirrje është mbytur krejtësisht nga hallakama e gjithmbarshme shoqërore. /Periskopi 

Shpërndaje në: