Papa i konsideron thashethemet në gazetari si një “formë terrorizmi”

Papa i konsideron thashethemet në gazetari si një “formë terrorizmi”

Papa Françesku është shprehur këtë të enjte me nota kritike ndaj gazetarisë së bazuar te thashethemet rozë (gossip), të cilën e ka konsideruar një formë “terrorizmi”, ndërsa mediat që e prezantojnë popullsinë mbi bazën e stereotipeve, apo që nxisin frikën prej emigrantëve thotë se janë duke vepruar në mënyrë destruktive.

Ati i Shenjtë i bëri këto komente në një adresim të bërë përpara udhëheqësve të Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve italianë, duke thënë se reporterët duhet të gërmojnë edhe në vrimat më të vogla për të gjetur të vërtetën, veçanërisht në epokën e sotme kur mbulohen lajme të gjithësishme.

“Përhapja e thashethemeve është një shembull terrorizmi, shembull sesi ju mund të vrisni një person me gjuhën dhe penën tuaj”, tha ai. “Kjo është edhe më e vërtetë për gazetarët, sepse zëri i tyre shkon te kushdo, ndaj dhe kjo përbën një armë të fuqishme në duart e tyre”.

Në Itali, një numër gazetash janë tejet të politizuara dhe përdoren gjerësisht e rregullisht për të diskredituar ata me pikëpamje të ndryshme politike, madje shpeshherë duke raportuar edhe thashetheme të pabaza mbi jetët private të tyre.

Në vitin 2009, disa media të zotëruara nga familja e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi u kritikuan ashpër nga Shoqata e Gazetarëve, për shkak të historive që vinin në dyshim besueshmërinë e një gjyqtari që kishte dhënë një vendim gjyqësor kundër një kompanie të zotëruar nga familja Berlusconi, shkruan Top Channel.

Këto histori ishin mbushur me insinuata mbi mënyrën sesi ai vishej, përfshi edhe ngjyrën e çorapeve të tij, dhe mbi mënyrën sesi ecte nëpër parqe.

Papa Françesku ka mbrojtur vazhdimisht të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve, duke thënë se gazetaria nuk duhej përdorur si një “armë shkatërruese kundër personave të caktuar, apo edhe ndaj një populli të tërë”.

“Ata nuk duhet kurrsesi të nxisin frikën përpara ngjarjeve të tilla si largimi i detyruar i refugjatëve nga lufta, varfëria apo uria”, shtoi ai.

Vitin e kaluar, gazeta e krahut të djathtë politik “Libero” kishte vendosur në krye të lajmeve të saj historinë e sulmeve të Parisit, prej të cilave mbetën të vrarë rreth 130 persona. Titulli i këtij lajmi ishte “Bastardët islamikë”.

Një tjetër gazetë me të njëjtat pikëpamje politike, “Il Giornale”, mbante si titull kryesor të ngjarjeve të vitit të kaluar mbi situatën kaotike në Libi dhe rrezikun se militantët ishin duke u kamufluar drejt Italisë përmes emigrantëve “ISIS po vjen, le të armatosemi”.

 

 

Shpërndaje në: