Papunësia, çmimet e larta dhe korrupsioni problemet kryesore në Kosovë, sipas sondazhit të Institutit amerikan

Periskopi.com Lajme

Sipas rezultateve të publikuara nga sondazhi për Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 në kuadër të projektit të institutit amerikan “Instituti Republikan Ndërkombëtar” (IRI), çështjet ekonomike vazhdojnë të jenë problemet kryesore të Kosovës.

Në tri problemet kryesore të listuara nga sondazhi i institutit amerikan IRI, papunësia (46%) është problemi kryesor, e pasuar nga kostoja i jetesës/ çmimet e larta (24%) dhe korrupsioni (8%).

Në këtë sondazh sipas përgjigjeve të qytetarëve të Kosovës, problem është edhe pandemia e coronavirusit (2%), energjia elektrike (2%), varfëria apo qasja në kredi (2%).

Derisa pasiguria, kriminaliteti apo mungesa e sigurimeve shëndetësore është parë si problem nga 1% e respodentëve që i janë përgjigjur anketës.

Metodologjia e sondazhit 

Sondazhi është realizuar në kuadër të qendrës së institutit “Center for Insights in Survey Research” nga Ipsos Stregic Marketing, nga 30 dhjetori e deri me 20 shkurt.

Të dhënat janë mbledhur me metodën e intervistimit të qytetarëve në shtëpitë e tyre.

Poashtu në sondazh janë përfshirë të gjitha zonat (urbane/rurale) dhe të gjitha grupet etnike.

Në Kosovë janë intervistuar 1520 respodentë dhe margjina e gabimit mund të jetë deri në 2.9 për qind.

Kush është IRI

“Institutit Republikan Ndërkombëtar” është një institut amerikan jo profitabil dhe që është i përkushtuar në avancimin e lirisë dhe demokracisë në botë duke ndihmuar akterët politikë, partitë politike dhe të tjerë të përfshirë në qeverisje që të merren më shumë me cështje substanciale.

Instituti merret edhe me programe për përfshirjen e të rinjve më shumë në politikë dhe ofron ndihmë sidomos për grupe të margjinalizuara në vende të ndryshme.

Instituti ishte formuar në vitin 1982 me iniciativë të presidentit të atëhershëm amerikan Ronald Reagan, derisa deri në vitin 2018 udhëheqës i institutit ishte John McCain. Atë e kishte zëvendësuar senatori amerikan, Dan Sullivan.