Para tetë vitesh, vodhi televizorin në Rahovec: Ai pranon fajin por Prokuroria nuk ia pranon

Para tetë vitesh, vodhi televizorin në Rahovec: Ai pranon fajin por Prokuroria nuk ia pranon

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka refuzuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari B.M, i cili ngarkohet se në vitin 2013, së bashku me të akuzuarit U.T dhe L.B, ia kanë vjedhur një televizor plazma “Samsung 97 cm”, të dëmtuarit N.Sh.

Në seancën fillestare të mbajtur të enjten, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sadri Alija, i akuzuari B.M, ka thënë se e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, duke shtuar se këtë vepër e ka bërë i vetëm dhe jo në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, të akuzuarit tjerë kanë mohuar të kenë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen.

Pas kësaj prokurori, Sadri Alija i ka propozuar gjykatës të mos aprovohet pranimi i fajësisë, pasi që sipas tij, pranimi i fajësisë nuk është bërë konform dispozitave 248 të KPPRK-së.

“E kundërshtoj pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit të parë, B.M, pasi që një pranim i tillë është në kundërshtim me dispozitivin e aktakuzës, për faktin se i njëjti e pranon fajësinë duke deklaruar se i vetëm e ka kryer veprën penale, ndërsa i njëjti akuzohet se veprën penale vjedhje e rëndë e ka kryer në bashkëkryerje”, tha prokurori Alija.

Pasi që u konsiderua se pranimi i fajësisë nuk është bërë konform dispozitave 248 të KPPRK-së, gjykatësi Ilir Rashkaj e ka refuzuar të njëjtin.

Gjykatësi Rashkaj ka njoftuar të pandehurit, se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Mirëpo, të njëjtit kanë hequr dorë nga shqyrtimi i dytë duke kërkuar që gjykata të caktojë shqyrtimin gjyqësor, ku do të ballafaqohen me të dëmtuarin edhe dëshmitarët.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 16 prill 2018, ndaj B.M, U.T dhe L.B, me të cilën i ngarkon të njëjtit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Në aktakuzë thuhet se ndërmjet datës 15-17 tetor 2013 në kohë të pacaktuar në fshatin Krushë e Madhe e Rahovecit, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitime të kundërligjshme marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit N.Sh.

Sipas aktakuzës të akuzuarit në ditën kritike pasi që e planifikojnë vjedhjen i ndajnë rolet, ashtu që shfrytëzojnë rastin pasi që familja e shtëpisë së dëmtuar gjenden jashtë vendit, në atë mënyrë që nga dritarja e banjës, e cila ishte gjysmë e hapur hynë brenda dhe nga aty marrin një televizor plazma “Samsung 97 cm”.

Në këtë rast, thuhet se të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material në vlerë prej 1 mijë e 200 franga zvicerane.

Me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327, par.1, pika lidhur me nenin të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në shtatë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Shpërndaje në: