Paralajmërimet për grevë dhe protesta, SBAShK-u sot takim të jashtëzakonshëm

Paralajmërimet për grevë dhe protesta, SBAShK-u sot takim të jashtëzakonshëm

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, do të organizojë sot takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve, për të biseduar rreth vendimit për veprimet sindikale.

Në njoftim bëhet e ditur se takimi do të fillojë në orën 14:00.

“Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës organizon takimin e jashtëzakonshëm me kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve e në të cilin do të bisedohet dhe do të merret vendimi për veprimet sindikale nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë apo nëse nuk merren vendime të pranueshme lidhur me Ligjin e pagave dhe Implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive. (Salla e takimeve të Qendrës së Studentëve, te selia e SBASHK-ut, ora 14:00)”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, këtë takim e ka paralajmëruar të enjten kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Ai ka theksuar se ky takim është duke u organizuar si pasojë e vizitave të tij që i ka bërë në komuna për zgjedhjet e brendshme të SBASHK, duke shtuar se të gjithë e kanë ngritur çështjen e Ligjit të Pagave dhe atë se çfarë duhet të bëjë ky institucion sindikal.

“Nesër do të marrim mendimet e anëtarësisë për komunat e tyre, do të marrim edhe mendimin e kolegëve që i kemi në universitete, më pas bashkërisht do të marrim një vendim. Nëse vendoset diçka mendoj se në fillim do të kemi ndonjë protestë të vogël por nëse kjo nuk jep rezultat do të kemi greva”,ka thënë Jasharaj.

Shpërndaje në: