Paralajmërimi i SHBA-së: Rusia dhe Irani sulmojnë sistemet kompjuterike amerikane

Periskopi.com Lajme

Rusia dhe Irani po shtojnë sulmet kundër rrjeteve dhe sistemeve kompjuterike të qeverisë amerikane. Kështu kanë paralajmëruar zyrtarët amerikanë, sipas të cilëve dy vendet po forcojnë fushatat e tyre të dezinformimit, për të tronditur besimin e votuesve në prag të zgjedhjeve.

Paralajmërimi i zyrtarëve të zbulimit dhe të sigurisë zgjedhore vjen pas deklaratave të drejtorit të zbulimit kombëtar, i cili fajësoi Iranin për sulmin e parë të bujshëm ndaj zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke akuzuar Teheranin se qëndron pas mijëra emaileve të falsifikuara me synimin për të frikësuar votuesit.

Sipas Byrosë Federale të Hetimit dhe Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës së Sigurisë, emailet e dërguara si dhe aftësia e Rusisë dhe e Iranit për të hyrë në informacionin e regjistrimit të votuesve, janë vetëm fillimi i një fushate më të madhe për të minuar zgjedhjet amerikane të 3 nëntorit.

Sipas tyre, sulmet e Rusisë filluan në shtator dhe kishin në shënjestër dhjetëra rrjete të qeverive lokale dhe shtetërore në aktivitete nga më të ndryshmet, nga aviacioni e deri te arsimi.

Ata nuk dhanë detaje shtesë në lidhje me veprimet ruse, apo se cilët serverë qeveritarë ishin komprometuar.

Shpërndaje në: