Paralajmërohet Ballkani: Mund të ketë sulme terroriste

Paralajmërohet Ballkani: Mund të ketë sulme terroriste

Deklaratat e tyre pasuan arrestimin në Kosovë dhe në Shqipëri, brenda një dite, të së paku 11 personave, 7 nga të cilët në territorin e Kosovës, me dyshimin për organizim për kryerjen e, siç thuhet, “veprave terroriste dhe kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”.

Në një dokument të Prokurorisë së Kosovës, pas arrestimit të të dyshuarve, thuhet se “ishin në kontakt me pjesëtarin e grupit militant Shteti Islamik, Lavdrim Muhaxheri, nga i cili kishin marrë udhëzime për sulme”.

Muhaxheri u bë i njohur në korrik të vitit 2014, pas publikimeve në faqen e tij të Facebook-ut dhe fotografive të veprimeve të tij.

“Ata po përgatisnin sulme terroriste në rajonin e Ballkanit, fillimisht në Kosovë. Ata kishin planifikuar sulme mbi ndërtesa të ndryshme, mbi institucionet e sigurisë, të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat ekonomike, politike dhe financiare”, thuhet në dokumentin e prokurorisë së posaçme.

Të gjitha pretendimet e prokurorisë në Prishtinë u hodhën poshtë nga avokatët mbrojtës.

Aksioni i policive të Kosovës dhe Shqipërisë u shtri edhe në Maqedoni, por arrestimet u kryen vetëm në territorin shqiptar dhe atë të Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Valdet Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se arrestimet e fundit të personave të dyshuar për lidhje me grupet terroriste janë konfirmim i bashkëpunimit të autoriteteve të sigurisë në rajon.

“Unë them që është vazhdimësi e aktiviteteve të mekanizmave të sigurisë edhe konfirmim i bashkëpunimit shumë të ngushtë të autoriteteve, konkretisht policive dhe autoriteteve të tjera të sigurisë të rajonit, sepse është një interes i përbashkët luftimi i kësaj dukurie dinake. Dhe në këtë kuptim, unë po them që është vetëm vazhdimësi e koordinimit dhe konsolidimit të aktiviteteve në drejtim të vënies nën kontroll të kësaj dukurie”, tha Hoxha.

Mbi 300 qytetarë të Kosovës mendohet se kanë marrë pjesë në konfliktet në Siri dhe Irak, dhe sipas vlerësimeve të mekanizmave të sigurisë në vend, në këto konflikte vazhdojnë të jenë ende 140 persona, në mesin e të cilëve gra dhe fëmijë.

Shpërndaje në: