Paralajmërohet rritje graduale e çmimit të rrymës në Kosovë: Mund të shkojë deri në 37 %

Periskopi.com Lajme

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka treguar se kanë bërë kërkesë në ZRRE për rritje të çmimit të energjisë elektrike në vend për 7 për qind. Në rast se një kërkesë e tillë do të aprovohet, Buzhala ka thënë se ai mund të faturohet nga 1 dhjetori.

Gjithashtu Buzhala ka thënë se varësisht se si do të lëvizin çmimit dhe si do të jetë kërkesa dhe konsumi, mund të ketë edhe një rritje graduale të çmimit deri në muajin Prill që mund të shkojë në total 37%. Derisa ka bërë thirrje që qytetarët të kursejnë energjinë elektrike.

“Është bërë kërkesa për rritje të çmimit prej 7 për qind tani, e që mund të faturohet nga 1 dhjetori, nuk mund të paragjykojmë me çfarë çmimi do të vijë pasi për këtë ZRRE të merr vendim dhe të flas, ne realisht aq e kemi bërë kërkesën, pasi që është kërkesa e argumentuar dhe e bazuar në çmime në mënyrë që edhe rritja eventuale pasi që nuk mund të spekulojmë asgjë, të jetë më e lehtë më 1 prill”, ka thënë Buzhala në ATV.

“Në bazë të kalkulimeve që i kemi bërë ne dhe në bazë të parametrave që ekzistojnë, ne nuk e dimë se sa do të jetë konsumi, ne e dimë tash cili është por nuk e dimë deri në prill, e cili do të jetë prodhimi. Kërkesa për rritje nga prilli e tutje do të jetë minimumi 30 për qind”, ka shtuar ai në ATV.

Buzhala tutje ka thënë se aktualisht energjia elektrike është duke u blerë 300 euro për megavat dhe duke e shitur për 68 euro te konsumatori. Ai thotë se nuk ka sistem që mund ta përballojë një gjë të tillë.

“7 përqindëshi t’i bashkohet 30 përqindëshit, mirëpo është minimumi po flas, nën to vështirë që do të bjere kërkesa, jemi duke e blerë diku 300 euro megavatin, ndërsa e shesim te konsumatori me 68 euro, nuk ka sistem në botë që mund të mbijetojë”, ka përfunduar Buzhala.