Paralajmëron ambasada britanike: Do të përdorim gjithë arsenalin për të këputur lidhjet politikë-krim

Paralajmëron ambasada britanike: Do të përdorim gjithë arsenalin për të këputur lidhjet politikë-krim

Mbretëria e Bashkuara ka ndërmarrë një ofensivë në rajonin e Ballkanit Perëndimor me qëllim të shkëputjes së lidhjeve në mes të politikës dhe krimit e korrupsionit. Ka qenë ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, që ka folur i pari, duke treguar se pas amerikanëve edhe britanikët e kanë futur në listën e zezë.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, kanë thënë se në muajt në vazhdim do të përdorin një gamë të gjerë të arsenalit britanik për të vazhduar luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nga Ambasada kanë thënë se kjo është masa e fundit në kuadër të një pakoje veprimesh që kanë për synim promovimin e llogaridhënies dhe dhënies fund të dukurisë së mosndëshkimit në rajon.

“Mbretëria e Bashkuar po i rrit përpjekjet tona për të prishur lidhjet në mes të politikës dhe krimit në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e fundit në kuadër të një sërë veprimesh që synojnë të promovojnë llogaridhënien dhe t’i japin fund mosndëshkimit në rajon. Në muajt e ardhshëm, ne do të përdorim të gjithë gamën e arsenalit tonë për të vazhduar luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit”, kanë thënë për Gazetën Express nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Veprime të ngjashme muaj më parë ka ndërmarrë edhe Zyra e Thesarit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ka sanksionuar një prej figurave kyçe të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, bashkë me disa emra të tjerë të cilët veprojnë në veri të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu përmes një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë paralajmëruar sanksione ndaj gjithë atyre politikanëve të cilët promovojnë destabilizim dhe punojnë kundër marrëveshjeve që janë arritur deri tani në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë urdhrër ekzekutiv Joe Biden shprehet se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.

Shpërndaje në: