Paralajmëron Serbia: Kemi gati fushatën e çnjohjeve

Paralajmëron Serbia: Kemi gati fushatën e çnjohjeve

Serbia është në komunikim të vazhdueshëm me një numër të caktuar vendesh që janë gati të ndryshojnë vendimin dhe të tërheqin njohjen e Kosovës.

Kështu thotë sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nemanja Staroviq, transmeton Tanjug.

Ai thekson se “Beogradi është gati të përgjigjet me vendosmëri dhe në mënyrë adekuate nëse Prishtina fillon në mënyrë aktive një fushatë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare pas skadimit të moratoriumit njëvjeçar nga Marrëveshja e Washingtonit për lobimin për njohjet e reja të Kosovës”.

Sipas tij, Serbia është plotësisht e angazhuar për respektimin e marrëveshjes së Washingtonit dhe se nuk do të jetë e para që do të heqë dorë nga moratoriumi i caktuar për të pezulluar fushatën e njohjes, por se do të reagojë seriozisht dhe me vendosmëri ndaj lëvizjeve të mundshme nga Prishtina ose sponsorët e saj.

“Pikërisht për shkak të angazhimit ndaj marrëveshjes së Washingtonit, në këtë moment ne nuk mund të flasim për numrin dhe emrat specifik të vendeve që do të tërhiqnin njohjen, por ne jemi gati, nëse Prishtina aktivizon një skenar të tillë,” thotë Staroviq

Ai deklaron se Beogradi ka informacione që Prishtina po përgatitet që, pas skadimit të moratoriumit njëvjeçar, të aktivizojë përpjekjet për të fituar anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare, kryesisht në Këshillin e Evropës.

Sipas tij, pala nga Prishtina beson se ka një pozitë relativisht të favorshme në atë organizatë, duke pasur parasysh një numër të konsiderueshëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që kanë njohur shkëputjen e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

Shpërndaje në: