Paralajmëron Zemaj: Respektojini masat anti-COVID, përndryshe do të dënoheni

Paralajmëron Zemaj: Respektojini masat anti-COVID, përndryshe do të dënoheni

Ministri i Shëndetësisë kosovare, Armend Zemaj, i ka paralajmëruar të gjithë qytetarët e Kosovës që nëse nuk i respektojnë masat anti-Covid, do të ballafaqohen me gjobë.

Zemaj pas rritjes së numrit të rasteve me COVID në Kosovë e posaçërisht në Prishtinë ka deklaruar se policia në bashkëpunim me inspektoratet do të jenë gjatë gjithë kohës në terren dhe personat që nuk i respektojnë masat anti-COVID, si vendosja e maskës e mbajtja e distancës do të përballen me dënime nga ana e këtyre institucioneve. E shtimi i rasteve sipas Ministrisë ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të masave anti-COVID nga ana e qytetarëve.

“Po vazhdojmë me bashkëpunim me të gjithë kryetarët e komunave. Kohëve të fundit jemi përballur me një rritje të numrit të rasteve me COVID pozitiv edhe në kryeqytet. Biseduam me kryetarin edhe për një menaxhim më të mirë të situatës. Koordinohemi me policinë e inspektoratin”, ka deklaruar Zemaj.

Tutje ai ka thënë se monitorimi i situatës do të bëhet në bazë të dy elementeve.

“Shtimi i mbikëqyrjes, koordinimi më i mirë dhe llogaridhënia për të gjithë neve. Mbajtja e maskës, higjienës është kushti themelor”, thotë tutje ministri.

Tutje ai ka deklaruar se megjithëkëtë, Kosova mbetet në listën e vendeve që janë në pozitën më të mirë sa i përket shtrirjes së koronavirusit në popullatë.

“Jemi një ndër pesë vendet për situatën më të mirë epidemiologjike në Kosovë. Nuk duam që të kthehemi në të portokalltën e as në të kuqën. Duhet disiplinë që ta mbajmë ekonominë gjallë. Do të intervenojmë që të shtojmë mbikëqyrjen. Do të ketë sanksione për ata që nuk i respektojnë masat”, thotë ai.

E nga Ministria e Shëndetësisë deklarojnë se rritja e numrit të rasteve pozitive me Covid gjatë ditëve të fundit në ka ardhur kryekëput si pasojë e mos-disiplinës së qytetarëve.

“Rritja e numrit të këtyre ditëve është nga mos-disiplina individuale. Kjo situatë nuk i konvenon askujt. Dje kemi pas një vdekje të vitit 1933, besoni ai rast nuk ka dal prej shtëpisë. Dikush ia ka çu virusin atij në shtëpi”, thotë Zemaj.

Shpërndaje në: