Parlamenti është ndarë në dysh: Janë ata që mbrojnë vlerat e UÇK-së dhe ata që i mohojnë

Parlamenti është ndarë në dysh: Janë ata që mbrojnë vlerat e UÇK-së dhe ata që i mohojnë

Në intervistën për Periskopin, Selimi ka folur edhe për dështimin e Kuvendit që ta miratojë një rezolutë pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë, në bazë të një urdhërarresti të autoriteteve serbe.

Sipas Selimit, tash më është e qartë se kush në Kuvend është për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kush i mohon ato. Ai thotë se ndarja për rezolutën për Haradinajn është ndarje përafërsisht e njëjtë sikur edhe me rastin e votimit të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së.

“Ata që e kundërshtuan Gjykatën Speciale e votuan projekt rezulutën e sponsorizuar nga deputeti Lekaj kurse ata që e patën votuar Gjykatën kundër UÇK-së e kundërshtuan projekt rezulutën në mbrojtje të Ramushit. Prandaj ndarja nuk ka filluar në seancën e fundit. Ajo ka qenë veç një manifestim i ndarjes së më hershme”, thotë ai.

Në intervistën e plotë, të vendosur më poshtë, Selimi flet edhe për cenimin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj sovranitetit të vendit, veprimet që Kosova do duhej të ndërmarrë ndaj këtyre cenimeve, për rritjen e pagave të deputetëve, derisa shpreh shqetësimin e tij se gjendja e sigurisë në vend po shënon përkeqësim të vazhdueshëm:

Periskopi: Kuvendi i Kosovës nuk arriti që të miratojë një rezolutë pas arrestimit të Ramush Haradinajt. A mendoni se qëllimet politike nuk po lejojnë deputetët që të bashkohen edhe kur bëhet fjalë për luftën e UÇK-së?

Selimi: Pikërisht kur bëhet fjalë për Luftën Çlirimtare dhe çështjen që ka të bëjë me ruajtjen e saj si vlerë, janë krijuar ndarjet më të mëdha në ata që i mbrojnë dhe në ata që i mohojnë këto vlera. Kështu ndodhi edhe me rastin e seancës së mbajtur me rastin e arrestimit të Haradinajt në Francë. Sërish Parlamenti manifestoi ndarjen në dysh në mes atyre që e mbrojnë vlerën e Luftës Çlirimtare dhe atyre që e mohojnë atë. Përafërsisht ndarja ishte e njëjtë sikur edhe me rastin e votimit të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së. Ata që e kundërshtuan Gjykatën Speciale e votuan projekt rezulutën e sponsorizuar nga deputeti Lekaj kurse ata që e patën votuar Gjykatën kundër UÇK-së e kundërshtuan projekt rezulutën në mbrojtje të Ramushit. Prandaj ndarja nuk ka filluar në seancën e fundit. Ajo ka qenë veç një manifestim i ndarjes së më hershme.

Periskopi: Kohëve të fundit kemi pasur edhe mbajtjen e meshës së serbëve në kishën ortodokse në oborrine Universitetit të Prishtinës, si dhe është paralajmëruara se së shpejti do të lëshohet linja hekurrudhore Beograd – Mitrovicë, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e informuar. Si e komentoni këtë?

Selimi: Unë mendoj që për të gjitha ato që po bën Serbia në Kosovë, duke përfshirë edhe arrdhjen e priftërinjve serb në Qendër të Prishtinës, nuk bëhen pa dijeninë edhe të Qeverisë së Kosovës, sidomos të atyre që negociojnë me Serbinë. Shumëçka që po ndodhë kundër interesave të qytetarëve të Kosovës është e koordinuar në mes Serbisë dhe Qeverisë kuislinge në Prishtinë.

Periskopi: Pas rasteve të fundit  cilat duhet të jenë veprimet e Kosovës karshi Serbisë?

Selimi: Veprimi i parë që duhet të ndodh në Kosovë është pamundësimi i realizimit të planeve serbe përmes Qeverisë së Kosovës. E, kjo arrihet vetëm kur të mos e kemi këtë qeveri dhe këta njerëz në poste vendimmarrëse. Prandaj dorëheqja ose rrëzimi i kësaj qeverie është hapi më i domosdoshëm dhe më urgjent për të mirën e Kosovës.

Periskopi: Ngjarjet e fundit që në vend të cilat lidhen me Serbinë, a do ta bëjnë që çështja e murit mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë do të mbete në hije dhe nuk do të rrënohet këtë muaj ashtu siç parasheh rezoluta?

Selimi: Muri pranë urës së Ibrit në Mitrovicë është vetëm një barrikadë e betonuar si rezultat i bisedimeve me Serbinë në Bruksel. Ai mur është vetëm një pjesë e një mozaiku të planeve të Serbisë në Kosovë. Prandaj si i tillë nuk mund të hiqet as të pamundësohet duke i pasur arkitektët e ketij muri në krye të Qeverisë në Kosovë.

Periskopi: Pritet rritja e mëditjeve të deputetëve të Kuvednit. A është kjo e tepërt?

Selimi: Edhe këto paga që i marrin deputetët duke i përfshirë edhe meditjet janë të pa drejta dhe të pa meritueshme për deputetët në Kuvend. Janë të padrejta përballë pagës mesatare në Kosovë dhe janë të pajustifikueshme për punën që bëjnë deputetët. Prandaj ne jemi edhe kundër rritjes por jemi edhe për uljen e pagave bazë për deputetët dhe për të gjithë zyrtarët e lartë politik në Kosovë.

A mendoni se pas rasteve të fundit situata politike në vend do të shkojë duke u rënduar?

Kursi i zhvillimeve në Kosovë po shkon drejtë përkeqësimit, poashtu edhe në aspektin e sigurisë. Situata e rënduar deri në këtë shkallë po shkon duke u bërë e padurueshme.

Periskopi: Cili është suksesi më i madh si dhe një dështim i Qeverisë së Kosovës gjatë viti që lamë pas?

Selimi: Dështimi i Qeverisë në realizimin e Zajednicës dhe Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi janë sukseset më të mëdha të kësaj Qeverie. Pra pikërisht dështimi i Qeverisë në këtë rrafsh është edhe sukses për Kosovën. Ne jemi të lumtur që sado pak kemi kontribuar diçka për Kosovën duke e bërë të dështojë Qeveria në projektet e saj antikushtetuese.

 

Shpërndaje në: