Partia në pushtet buxhetin 2022 e quan më të lartin ndonjëherë, opozita e quan ‘buxhet i mashtrimit’

Partia në pushtet buxhetin 2022 e quan më të lartin ndonjëherë, opozita e quan ‘buxhet i mashtrimit’

Projektbuxheti i vitit 2022 i cili po shqyrtohet në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës nga partia në pushtet po konsiderohet si buxheti më i lartë ndonjëherë, ndërsa partitë opozitare kryesisht e quajnë së buxhet të mashtrimit dhe pa ndonjë politikë fiskale që ndikon në rritje ekonomike.

Ushtruesja e detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila thotë se ky grup parlamentar e përkrah projekt-buxhetin e propozuar për vitin 2022.

“Me projekt-buxhetin e vitit 2022 kuptojmë parimet qeverisëse në transparencë llogaridhënie, ulje të shpenzimeve dhe ndalim të shpenzimeve të panevojshme nga vendimet e mëhershme të qeverive siç është rasti i vlerësimit të shpronësimeve të tokave njëherë të privatizuar dhe pastaj të rishitura prapa tek qeveria për projektet e infrastrukturës… Me buxhetin e prezantuar sot në Kuvendin e Kosovës po dedikohen edhe 40 milionë mbështetje direkte për prodhuesit vendor për të rritur kapacitetin e tyre dhe për të zgjeruar tregjet brenda dhe jashtë Kosovës, shumë shpejt në Kuvend do të fillojnë diskutimet publike për ndryshimet legjislative të ligjit të AKP-së dhe transferimit të aseteve nga kjo agjenci në atë të Fondit Sovran dhe ky proces lidhet drejtpërdrejt me investimet e parapara në zonat ekonomike të cilat parashihen me buxhetin aktual në vlerë prej 1 milion e 800 mijë euro mjete këto, të cilat mund të përdoren edhe si bazë të tërheqjes së investimeve shtesë në zonat aktuale si dhe në zonat industrial të reja si në Llap, Gjakovë e komuna të tjera”, tha ajo.

Kusari-Lila tha se buxheti i Kosovës për vitin 2022 është në rrugë të mbarë, ndërsa shtoi se “dita që mbillen farat nuk është dita që hahen frutat, andaj farat e mbjella dikur më parë pritet ende të lëshojnë frutat e veta”.

“Në përgjithësi e kemi në rrugë të mbarë buxhetin e Kosovës për vitin 2022 megjithatë për të bërë ndryshimet përmbajtjesorë të cilat do të shihen dhe do të reflektohen në të gjitha sferat në ngritje të mirëqenies ende duhet kaluar nëpër procesin e rishikimit dhe në miratimin e buxhetit 2023 kur të ulen shpenzimet nga investimet të cilat janë ngarkesë për disa në buxhetin e Kosovës në veçantë ato të infrastrukturës. Një gjë që duhet ditur të gjithë është se dita që mbillen farat nuk është dita që hahen frutat, andaj farat e mbjella dikur më parë pritet ende të lëshojnë frutat e veta”, tha ajo.

Deputeti nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku theksoi se projektbuxheti 2022 nuk është zhvillimor dhe nuk do ta përmirëson mirëqenien e qytetarëve. Ai po ashtu tha se Qeveria Kurti dhe ky buxhet ka vetëm një mesazh – buxhet i mashtrimit

“Projektbuxheti për vitin 2022 nuk jep një mesazh që do të përmirësonte mirëqenien e qytetarëve. Po ashtu nuk ka shifra që vërtetojnë se do të përmirësohet gjendja në arsim, në shëndetësi, si dhe nuk ka shifra të besueshme që do të përmirësohet jeta e personave të kategorive të ndjeshme, pensionistëve, invalidëve të luftës, familjarëve të dëshmorëve. Nuk ka shpresë për të punësuarit se do të ketë rritje të pagave dhe nuk ka asnjë ndryshim që iu jep shpresë bizneseve të dëmtuara, shumë prej tyre të shkaktuara nga pandemia. Qeveria hipokrite Kurti dhe ky buxhet, thjesht na jep vetëm një mesazh që nuk është buxhet i zhvillimit, por thjesht një buxhet i mashtrimit ashtu siç është kjo qeveri mashtruese e madhe e qytetarëve”, tha Lushtaku.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti projektbuxhetin e vitit 2022 e ka quajtur buxhet të subvencioneve dhe granteve. Ai thotë se nga ky buxhet nuk ka çka presin sektori privat, ndërsa deklaroi se në këtë projektbuxhet reflektohet asnjë politikë fiskale që ka një orientim të fuqishëm zhvillimor të ekonomisë të sektorit privat.

Hoti e ka quajtur të çuditshme përkrahjen për ndërmarrjet publike krahas shprehjes së qeverisë për ndalje të gjakderdhjes financiare në këto ndërmarrje.

“Fokusi është krejt te shpenzimet më 100% te shpenzimet thesari i shtetit së pari duhet të mbushen dhe pastaj të shpenzohen. Nuk reflektohet asnjë politikë fiskale që ka një orientim të fuqishëm zhvillimor të ekonomisë të sektorit privat që na mundëson mbushjen e buxhetit dhe mandej shpërndarjen e këtij buxheti krejt politikat fiskale kam përshtypjen që janë orientuar në subvencione dhe grante, por subvencionet dhe grantet nuk e zhvillojnë ekonominë, ndihmojnë ekonominë e vogël, ndihmojnë fermat, bizneset e vogla që të qëndrojnë në treg por nuk mundësojnë zhvillim ekonomik afatgjatë. Janë investimet e mëdha vendore dhe të huaja të udhëhequra nga fitimi I tyre që mundësojnë vende pune të qëndrueshme dhe rritjen e aftësisë konkurruese në nivel global e këto bëhen vetëm përmes politikave stimuluese fiskale jo përmes subvencioneve. Kështu që sektori privat nuk ka gati se çka të presë nga ky buxhet. Në tri vjetët e ardhshme nuk ka asnjë investim madhor infrastrukturor që krijon efekte multiplikuese në ekonomi. Pak është e çuditshme se ajo shprehja e huaj e famshme që keni arritur ta ndalni “gjakderdhjen” financiare në ndërmarrje publike, por tash prapë u jepni mjete ndërmarrjeve publike pse duhen taksa te ndërmarrjet publike nëse e keni ndal “gjakderdhjen” financiare në ato ndërmarrje”, tha ai.

Deputeti nga AAK-ja Pal Lekaj ka thënë se me këtë buxhet nuk është trajtuar fare rritja e pagave edhe pse siç tha ai ka rritje ekstreme të çmimeve. Ai ka kritikuar kryeministrin Kurti që nuk ishte prezent në seancën ku po shqyrtohet projektligji për buxhetin.

Sa i përket “farës” që e përmendi ushtruesja e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deputeti i AAK-së u shpreh se “Ti mund të mbjellësh farë të grurit, por mundet të të dalë egjër”

“Vetë qasja e qeverisë për një buxhet që përfitojnë qytetarët, është injorancë totale. Kur flasim për buxhetin e Kosovës, jemi duke folur për programin e qeverisë, jemi duke diskutuar për qasjen qeveritare ndaj zhvillimit ekonomik dhe plotësimin e nevojave të qytetarëve në secilën sferë. Shumica absolute e premtimeve realizohen me buxhet dhe nëse nuk janë pjesë e buxhetit atëherë kemi të bëjmë me premtime dhe demagogji të qeverisë që është në pushtet. Fillimisht nga ky buxhet nuk është trajtuar fare rritja e pagave edhe pse ka rritje ekstreme të çmimeve. Flasim për bujqësi, meqë e kemi edhe ministrinë këtu, rritje prej 11 milionëve e subvencioneve për bujq është rritje e zakonshme dhe në proporcion me rritjen e buxhetit si dhe është e pa mjaftueshme pasi që në këtë vit nuk janë trajtuar bujqit në harmoni me vështirësitë që i kishin nga pandemia dhe dëmtimet nga ndryshimet klimatike… Ndoshta u rrit kuleta te ministri i Financave, të jetë më dorëshlirë, edhe në rast se kemi zgjedhje tjera parlamentare. E kam thënë në Komision, dhe është dyshimi im”, tha ai .

Shpërndaje në: