Pas 15 viteve, Uruguai e shkarkon trajnerin

Periskopi.com Sporti

Oscar Tabarez nuk është më trajneri i Uruguait. 74-vjeçari qëndronte në stolin e kombëtares latine prej vitit 2006, teksa ka qenë trajner i dy herë kampionëve të botës edhe në vitet 1988-1990.

Rezultatet e fundit të Uruguait kanë qenë zhgënjyese (1 barazim dhe 4 humbje në 5 ndeshjet e fundit), teksa humbja 3-0 në Bolivi ka rezultuar fatale për “mjeshtrin” dhe stafin e tij teknik.

Uruguai renditet në vend të shtatë në grupin e Amerikës Latinë, duke rrezikuar seriozisht kualifikimin në Botërorin Katar 2022.

Drejtuesit e Federatës kanë shkarkuar Tabarez, të cilin e falënderojnë për profesionalizmin dhe punën fantastike që ka kryer këto vite.

Trajneri uruguaian udhëhoqi kombëtaren e tij drejt fitimit të Kupës së Amerikës në vitin 2011, teksa një vit më parë dërgoi Uruguaian në gjysmëfinalet e Botërorit Afrika e Jugut 2010.