Pas Almir Dacit, vritet edhe një shqiptar tjetër në Siri, pjesë e Al-Qaedas

Pas Almir Dacit, vritet edhe një shqiptar tjetër në Siri, pjesë e Al-Qaedas

Mediat në Siri kanë raportuar se në betejën e fundit në mes të militantëve të grupit terrorist ISIS dhe forcave ushtarake siriane në periferi të Aleppos, kanë mbetur të vdekur 28 militantë të ISIS-it, në mesin e të cilëve dhe 5 drejtues të brigadës së lidhur me Al-Qaedan.

Ndërkaq, sipas “Al-Ahed News”, një nga këta të vrarë është edhe 22-vjeçari nga Prizreni, Hamdi Krusha, i cili njihej në Siri me pseudonimin Sulejman El-Albani, transmeton Koha.net.

Ky është shqiptari i dytë i vrarë në pak kohë në Siri, pas raportimit për vrasjen e Almir Dacit.

Raportohet se familja e viktimës, që jeton në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, është njoftuar për lajmin pasditen e së dielës nga një bashkëluftëtar i Hamdiut, në Siri, gjithashtu nga Prizreni.

Vrasja e Krushës e çon në 50 numrin e kosovarëve të vrarëve në luftimet në Siri dhe Irak, ndërkohë që të dhënat flasin për mbi 70 luftëtarë tjerë nga Kosova të rreshtuar përkrah organizatave terroriste ISIS e Al-Nusra.

Shpërndaje në: