Pas debatit për arkivat e UÇK-së, reagon edhe djali i ish-presidentit Thaçi

Pas debatit për arkivat e UÇK-së, reagon edhe djali i ish-presidentit Thaçi

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar me një fotografi ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili tha pala serbe është pajtuar që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe ato të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK’në. Bislimi dje ka deklaruar se kjo gjë është në favor të Kosovës.

Pas gjithë këtyre diskutimeve ka reaguar djali i Hashim Thaçit. Ai ka publikuar një fotografi nga koha e luftës, ku shihet Thaçi bashkë me Adem Jasharin dhe Kadri Veselin. Të gjithë në këtë foto janë të armatosur.

Kësaj fotografie, ai nuk i ka vënë asnjë mbishkrim, siç bën zakonisht.

Ndryshe, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka thënë se pala serbe është dakorduar që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe ato të Kosovës që kanë të bëjnë me UCK’në.

“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, ka deklaruar dje Bislimi.

Sipas reagimeve, ky dakordim nënkupton bërje të pazarit me UCK’në dhe “arkivat e saj” duke goditur njëkohësisht krerët e UÇK’së.

Lidhur me këtë deklaratë të Bislimit kanë ardhur reagime të shumta, kjo për shkak se sipas këtyre reagimeve, UÇK’ja nuk ka arkiva të mbyllura apo të hapura.

Nol Nushi i PSD’së ka thënë se ky është rezultati i Bislimit: Kur s’ka arkiva, Besniku i shpik. Ndërsa Klinaku i OVL UCK’së, ka thënë se UCK’ja ka vetëm “arkiva të hapura”.

Për “arkivat e hapura” foli edhe filozofi Blerim Latifi. Ky përmes një shkrimi në facebook publikoi disa fotografi nga dëmet e luftës në Kosovë që erdhën si rezultat i paramilitarëve dhe ushtrisë serbe.

“Qe njëri nga arkivat e UÇK-së, për ata që po kërkojnë të hapen ato!”, shkroi Latifi.

E gazetari Valon Syla tha se Kurti dikur kërkonte heqjen e Odaloviqit, e sot po bën e pazar UCK’në me “arkivat e saj”, ndërkohë që heronjtë e vërtetë të luftës janë në Hagë.

“Albin Kurti kërkonte heqjen e Odalovicit nga Aleks Vucici, por pikërisht me njerëzit e tij po e bënë pazar UÇK’në dhe ‘arkivat’ e saj. Tash me arkiva të Serbisë, dalin heronjë kusheritë e Besnik Bislimit, Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, përderisa heronjtë e vërtetë i kemi në Hagë. Faleminderit që e çpluat fytyrën, se keni gjatë.”, shkroi Syla.

Për këtë deklaratë të Bislimit, publicistja Kimete Berisha kërkoi dorëheqjen e zëvendësit të Kurtit. Gjithashtu Bislimit i tha “Mos u bëj çetnik”.

Profesori Milazim Krasniqi tha se arkivat e Serbisë nuk kanë nevojë të hapen për shkak se ato janë të hapura në Hagë.

Gazetari Abit Hoxha tha se Bislimi ka deklaruar se do të hapen arkivat (që nuk ekzistojnë) të UCK’së, e si pasojë, në mbledhjen e radhës delegacioni serb do ta akuzojë Bislimin se në të vërtetë nuk ka hapur arkivat e UCK’së.

“Pra, zëvendëskryeministri deklaroi se do të hapen arkivat “inekzistente” të UCK’së, vetëm që në mbledhjen tjetër të akuzohet nga pala serbe se nuk ka nxjerr materiale nga arkivat”.

Shpërndaje në: